
Poezi nga Zyrafete Manaj
E lamë ta pinim kafen bashkë sërish,
të ndërtonim kullën e kujtesës,
të bartnim vargjet e thyera
për dhimbjet e njeriut,
dhimbjen e fëmijëve
ta kthenim në buzëqeshje.
E lamë të takoheshim
kur të freskohej koha,
kur të pushonin zhurmat e kota.
E lamë të takoheshim
t’i shtonim vargjet e lirisë,
të këndonim për lirinë tonë
të shumëvuajtur.
E lamë…
por ti ike.
Pse kështu, Florë?
Pse na e le këtë heshtje
në vend të fjalëve,
këtë mall në vend të takimit?
Kafenë do ta pimë sërish,
por vendi yt do të mbetet bosh.
Vargjet do t’i vazhdojmë,
por zëri yt do të na mungojë.
E ti, Florë,
do të mbetesh aty ku nuk vdes askush:
në kujtesë,
në varg,
në dhimbjen që bëhet këngë
dhe në lirinë
për të cilën ëndërruam bashkë.
Pse ike, Florë?
ObserverKult
Lexo edhe:






