Remzie Makreshi është një vajzë me përplot ëndrra, por kohën e lirë e kalon më ndryshe se bashkëmoshatarët e saj.
Ajo bisedon me vajza, djem e prindër të komunitetit të saj, për t’i bindur që martesat e hershme janë të dëmshme dhe se rëndësia e edukimit është jetike.
Për punën si punonjëse e re sociale tash është shpërblyer në nivel ndërkombëtar.
15-vjeçarja nga Fushë-Kosova e angazhuar për të avokuar kundër martesave të hershme dhe rëndësisë së edukimit, e ka marrë çmimin “Humanitarian Award” të mundësuar nga fondacioni kanadez “IdealMe”.
Ky çmim dhurohet për një aktivist apo aktiviste të re që është në përpjekje për të krijuar një ndryshim pozitiv në komunitetet lokale, ose në të gjithë botën dhe Remzija është zgjedhur njëra ndër aktivistet më të përkushtuara për të sjellë ndryshime pozitive në komunitet, brenda një numri të lartë të nominuarve nga të gjitha vendet e botës.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga organizata “The Ideas Partnership” në fillim të këtij viti, martesat te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian në të shumtën e rasteve realizohen në mënyrë tradicionale pa procedura ligjore.
“Gjatë intervistimit ka pasur raste kur respondentët kanë deklaruar se kanë lidhur martesë tradicionale në moshën 13-vjeçare”, shkruhet në raport.
Në bazë të gjetjeve në terren, shkak i martesave të hershme del të jetë mentaliteti i komuniteteve, ku vlen të theksohet se shumica e të intervistuarve konsiderojnë se mosha gjashtëmbëdhjetë deri tetëmbëdhjetë vjeç, është periudha e duhur për martesë.
Rrëfimi i Remzie Makreshit është një storje inspiruese. Ajo është zëri i vajzave dhe djemve të komunitetit të saj. Ky zë ka nisur të dëgjohet edhe në botë./koha