18 kandidatë për Çmimet më të rëndësishme letrare në Shqipëri

Njëmbëdhjetë ditë para ceremonisë së ndarjes së “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë” për vitin 2018 juria ka zbardhur emrat e të nominuarve.

Janë 18 shkrimtarë, studiues e përkthyes të përfshirë në garën për gjashtë çmimet kryesore. Në mesin e tyre janë edhe kritiku letrar e poeti Sabri Hamiti dhe Matteo Mandalà.

Libri poetik i të parit ishte botuar më 2018 nga shtëpia botuese “Albas”, përderisa studimi monografik i profesorit nga Universiteti i Palermos ishte botuar po të njëjtin vit nga “Naimi”, shkruan sot Koha Ditore. 

Në këtë garë, siç specifikohet në një rregullore zyrtare të Ministrisë së Kulturës, juria merr në shqyrtim vetëm botimet brenda Republikës së Shqipërisë, por jo edhe librat e botuar përtej kufirit. Mbrëmjen e së enjtes, ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, ka zbuluar listën e kandidatëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga Visar Zhiti, Dhurata Shehri, Brikena Çabej, Riza Braholli dhe Alda Bardhyli.

“Pas një pune disamujore, në ceremoninë që do të zhvillohet më datën 20 janar, juria do të shpallë fituesit e çmimeve për romanin më të mirë, përmbledhjen me tregime, vëllimin poetik, veprën më të mirë eseistike, krijimtarinë letrare për fëmijë e të rinj dhe përkthimin nga gjuha e huaj”, ka shkruar ministrja Margariti në faqen e saj në Facebook.

Në edicionet e viteve të kaluara, në bazë të një vendimi të ish-ministres Mirela Kumbaro, çmimet letrare ishin dhënë për veprën më të mirë letrare dhe përkthimin më të ri. Por ministrja e re, Elva Margariti, ka rikthyer çmimet në kategori të reja, si: roman, tregim, poezi, eseistikë, letërsi për fëmijë dhe të rinj, si dhe përkthim.

Ceremonia e ndarjes së “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë” për vitin 2018 ishte paraparë të mbahej në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Por gjendja e trazuar pas tërmetit të 26 nëntorit, që pati si epilog vdekjen e 52 personave, ka bërë që kjo ngjarje letrare të shtyhej.

“Ishte parashikuar për gjysmën e dytë të dhjetorit. Por më pas thanë që është shtyrë”, ka thënë shkurt për “Kohën Ditore” njëra nga anëtarët e jurisë, Brikena Çabej. “Gjithsesi ishte mirë që u shty se, me gjithë atë rrëmujë e tërmet, askush s’e kishte mendjen te librat”.

Sipas njoftimit të ministres Margariti, juria pesanëtarëshe në kategorinë e romanit ka nominuar Andreas Dushin me romanin “Marrja e gjakut”, Virion Graçin me “Pëllumbat i vrasin natën” dhe Tom Kukën me “Gurët e vetmisë”. Në kategorinë e tregimit në garë janë nominuar Daut Gumeni me tregimin “Qershia e egër”, Roland Gjoza me “Për vajzat nga Parisi” dhe Faruk Myrtaj me “Këpucë për gjyqin e fundit”. Tutje, në kategorinë e poezisë janë nominuar Sabri Hamiti me “Kukuta e Sokratit”, Flutura Açka me “Roja i dritës” dhe Havzi Nela me “Vepra poetike e plotë”.

Tre kandidatët për kategorinë eseistikë janë Matteo Mandalà me “Jeronim de Rada: Portret artisti në rini”, Ismail Kadare me “Kur sunduesit grinden” dhe Arian Leka me “Në kërkim të këmishës së humbur”. Kategoria e pestë, ajo për letërsinë për fëmijë dhe të rinj, sipas përzgjedhjes së jurisë, ka të nominuar Mimoza Hafizin me “Pika trëndafili”, Skënder Haskon me “S’ka si shoku im” dhe Shkëlzen Zallin me“Gjergji takon Skënderbeun”.

E në kategorinë e fundit, atë të përkthimit, janë nominuar Erion Karabolli me përkthimin e romanit të Ernesto Sabatos “Abadoni, engjëlli i skëterrës”, Agron Tufa me përkthimin e Paul Celanit “Flokëboret e zeza” dhe Luan Topçiu me përkthimin e Linda Maria Barosit “Shtëpia me brisqe rroje”.