reklamë

Rozafa Shpuza: Manekinet presin vjeshtën

U zdeshën manekinet…
Vitrinat tash u përngjasin dritareve erotike
të nji qyteti me drita të kuqe,
ku askush nuk hyn
anipse e imagjinon vedin pjesë të aktit.

Termometri ka prekë tavanin,
teksa shikimi i turistëve mjegullohet
në zhegun e pabojë.
N’rrugicat hollake
mirazhet vallzojnë
mbi pellgjet që teren saora,
anipse shtëpiaket s’prâjnë tue i lagë
me nji zorrë uji
që përdridhet prej padurimit.

Edhe manekinet
rrijnë aty,
cullake,
pa iu ba vonë për nudizmin e tyne.
S’kanë turp.
S’kanë as stinë.
Veç presin.

Vjeshta asht rrugës,
diku mbas kthesës,
apo në ndonji kuti kartoni
që ende s’asht hapë,
e petkat e reja të manekineve
presin me etiketat e çmimeve
varë në qafe.

Ndoshta kështu ndërrohen stinët…
vjeshta ka me hy ndër vitrina pa trokitë,
e vera, si nji kujtim i harruem,
ka me u palue shkujdesun në askund.

ObserverKult