Agim Spahiu: O, ç’paske qenë ti, moj dashuria ime!

agim spahiu

Poezi nga Agim Spahiu

… Jam i vogël, sapo kam nisur të nxjerr tinguj,
të qesh, të zgjas faqen për puthje te të mëdhenjtë.
S’di ç’është ajri, uji, zjarri, e prek e digjem. Qaj
e prapë drejt teje nisem… Tetëmbëdhjetë jam,
i dashuruar në krehrin e pasqyrën,
gjithë vetulla, sy e forma të derdhura shtati,
përqafuar me dëshirën, më e hirshmja në botë – fytyra,
këngëtar i madh që di vetëm këngë me emrin tënd,
djalosh i zjarrtë, qengj i butë, të gjithë ma shohin
dashurinë, s’kam aspak frikë: e shpall para të gjithëve
mrekullinë që ndodhi në mua, i magjeps rrugët, pemët.
gurët, prej tyre magjepsem, i marr para me frymë.
Pesëdhjetë. Njëqind. Njëmijë vjeç qenkam, më lulojnë
lulet e bardha mbi krye, dhjetë herë qenkam kthyer
për ty në botën e të gjallëve pa pyetur për fyerje
dhe sharje… E prapë digjem e sillem në moshën
e shpirtit: një dhe tetëmbëdhjetë, një dhe tetëmbëdhjetë.
O, ç’paske qenë ti, moj dashuria ime!

ObserverKult

—————————-

Lexo edhe:

AGIM SPAHIU: PO T’I FAL SYTË. MERRI SYTË!

Qysh t’i them mungesat?! S’mundem, mungesat nuk thuhen,
mungesat veç ndjehen, të zënë si ethet
e s’ke më gojë as fjalë, mbytesh në ankth e mall,
veç sytë të thonë se je gjallë . . .
Po t’i fal sytë. Merri sytë!
Me dy drita syri të flas nga thellësitë,
të them je gjëma ime, je shpresa ime –
e heshtura me gjëmime. Të them – je muzikë,
gjëmëtare kundër gjëmës, këngë e mbushur prej ëndrrës . .
Me dy drita syri të them je e vërtetë
që më mban në jetë, plagë që dhemb e vdekjen
e tremb . . .
Qysh t’i them mungesat?! Ndruhem, mungesat nuk thuhen,
mungesat me ty shkrihen, flenë dhe ringrihen,
në ty përpëliten, dridhen, të shtojnë dhimbën –
drita i largon, terri i afron . . .
Po t’i fal sytë! Merri sytë!
E në dy drita syri, në dy drita syri të ndiej
si më ndrit ylli.

ObserverKult