Në mbyllje të tetorit, muajit të leximit, një fjalor gjigant në qendër të Tiranës të tregon gjuhën e vërtetë, ndryshe nga ajo që dëgjojmë e shkruajmë në të përditshmen tonë.
Nisma e Ministrisë së Kulturës ka tërhequr jo pak vëmendjen e kalimtarëve. Të rinjtë kanë nxituar të bëjnë foto për rrjetet sociale, ndërsa shumë prej tyre nuk e njihnin këtë lloj libri ose e konsiderojnë të parëndësishëm.
“Nuk kam parë ndonjëherë një libër të tillë. Është një kryevepër shumë e bukur. Është një libër që jep dije”, thotë një i ri.
“Kam një fjalor në shtëpi, është goxha i trashë, por se di i çfarë viti është”, thotë një qytetar tjetër.
Për prindërit dhe gjyshërit, fjalori i gjuhës shqipe është thesar. Ata thonë se jo vetëm e ruajnë me fanatizëm në shtëpi, por dhe e shfletojnë për t’u korrigjuar.
Botimi më i fundit i fjalorit të gjuhës shqipe është ky format i vitit 2006. Gjuhëtarët shprehin nevojën e një botimi të ri, i cili kërkon mbështetjen financiare nga qeveria, rreth 700 mijë euro për 5 vjet.
“Vetëm 15 vitet e fundit kanë ardhur rreth 150 mijë fjalë nga fjalorë apo vepra të ndryshme që kanë lidhje me leksikun dialektor. Ne presim ta kodifikojmë, por s’kemi fonde”, thotë Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë.
Leksikologu Valter Memisha denoncon faktin se Ministria e Arsimit nuk nxit shkollat për t’i pajisur me fjalorin e gjuhës amtare. Ndërsa gjuhëtari Rami Memushaj, kritik në mënyrën se si përdoret sot shqipja, nuk nguron t’i vendosë notën shoqërisë shqiptare madje dhe zyrtarëve të lartë.
“Shoqërisë shqiptare do t’i vija notën 6, pasi ka gjithë këto gabime. Kryeministrit do t’i vija notën 9 sepse është një përdorues i mirë i gjuhës. Megjithatë, po ta merrja në aspektin organizativ do t’i vendosja notën 4. Ai nuk ka bërë asgjë për gjuhën shqipe. Ministrja e Arsimit duhet të mësojë njëherë gjuhën standarde, nuk di ta flasë. Do ta lija për në vjeshtë atë! Në parlament ka nivele të ndryshme, por një pjesë janë mbetës”, shprehet gjuhëtari Rami Memushaj. Nëse vite më parë, çdo shtëpi kishte fjalorin e gjuhë shqipe, sot shumica i kanë shitur dhe i kanë zëvendësuar me fjalorë të gjuhëve të huaja!./kohajonë