Shqiponja është shpendi ynë simbol, por nëse nuk merren masa drastike shumë shpejt, edhe ajo do t’i përkasë të kaluarës.
Një shqiponjë e gjetur e ngordhur disa ditë më parë në ishullin e Sazanit ngriti edhe njëherë alarmin për zhdukjen e këtij shpendi.
Sipas një statistike të viteve të fundit, në Shqipëri jetojnë ende rreth 200 shqiponja gjithsej, por me kalimin e kohës edhe ky numër ka ardhur në zbritje.
Janë disa faktorë që kanë ndikuar në uljen e numrit të shqiponjave; kryesore mbetet gjuetia e tyre për shitje ose për t’i balsamosur dhe ekspozuar në ambiente publike.
Ekspertë të mjedisit bëjnë thirrje që të merren masa, për të shmangur fundin e trishtë: që shqiponja të mbetet thjesht në flamurin tonë kombëtar./dita