Dhembja i ngjan një nate dimri: e ftohtë, e errët,
Më e errët se skutat e një shpirti të trazuar plot pezëm
Në qiellin e dhembjes nuk ka yje, nuk ka dritë, ka veç trishtim
Mungojnë zërat e gëzuar të fëmijëve, thirrjet e tyre plot jetë
Mungojnë ëndrrat që fluturojnë në qiej kaltërosh dashurish
Në vend të gëzimit trishtueshëm endet veç një shpresë e zbehtë
Dhembja është si errësira që beftë e etshëm përpin gjithçka
Ajo futet brenda teje tinëzisht e i ngjan një grope pa fund
Thith dëshirat që krahprera s’arrijnë në asnjë vend e mbesin në askund
Përpin qeshjen e syve, ëndrrat e blerta dhe dashuritë e mëdha
Dhembja fle në shtratin e vogël të një dëshpërimi të madh
Që regëtin në rrahjen e një zemre që ka harruar të qeshë
Dhembja është ai qielli i përmbysur i një stine të blertë…