Arsim Canolli: Kthimi i heroit është themeli i jetës vazhdueme!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Arsim Canolli, antropolog dhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk kam ide të kulluar mirë për lumturinë e përkryer, nuk e kam menduar thellë kurrë. Por, mund të them se nuk e shoh lumturinë e përkryer pa vuajte. Mendoj se vuajtja duhet të jetë bashkëudhëtare e lumturisë, për ta njohur lumturinë. Përndryshe, ideja e lumturisë mund të bëhet vetëm fantazi. Por, ky është vetëm mendim i pasprovuar.  

Cila është frika juaj më e madhe?

Nuk e di. S’kam menduar për këtë, por do të mendoj.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Admirimi vjen prej latinishtes admiratio, apo jo, që i bjen “edhe me u habitë”. Unë habitem me mendjen e Sir Noel Malcolm-it, që më duket ndër mendjet më të bukura sot, dhe me admirimin e tij për shqiptarët. Librat e tij “Agjentët perandorakë: një familje shqiptare në botën meshdetare të shekullit gjashtëmbëdhjetë” dhe “Kosova: histori e shkurtër” janë për admirim.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Fjala “me u identifikue” i bjen me trajtue veten si identik me dikë. Nuk synoj me trajtue veten si identik me dikë. Por, vlerësoj e admiroj shumë njerëz që s’janë më, duke filluar prej nanës. Në planin e personaliteteve historike, e vlerësoj shumë Skenderbeun, Ismail Qemajlin, Ibrahim Rugovën, Winston Churchillin, etj. 

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Ka plot me i njeh. Por arrogancën e papritur dhe modestinë e tepërt, si pëlqej te vetja.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Ka plot me i njeh. Por arrogancën e papritur dhe modestinë e tepërt, si pëlqej as te tjerët.  

Në cilat gjëra e teproni?

Familja e miqtë e dijnë më së miri këtë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Nevoja.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Nuk është e qartë pyetja. Por, nëse ka të bëjë “ma marrë udhë” apo “me udhëtue”, do të thoja se ecja në Marec, në fshatin e lindjes, më pëlqen më së shumti, sidomos kur eci me babën. Por edhe ecja në male të Kosovës e Shqipërisë me familje e miq, i dua fort. Për shembull, ecja Valbonë-Theth është e mrekullueshme. Ecja në natën e 1 gushtit, për Aligjyn, në majën e Lubotenit, është ecja më surreale e jetës sime, sidomos ecja e parë që kam bërë atje, kur na ka prirë Shemsi Krasniqi. Ecja në Gjallicë me Shemsi Krasniqin, Nebi Bardhoshin, Kushtrim Canollin, ka qenë fort e këndshme. Pastaj ecja me Ganen e vajzat drejt Malit të Pikëllimës ka qenë e mrekullueshme. Në anën tjetër, kur dalë në terren, si themi ne në antropologji, apo kur dalë për vizita nëpër fshatëra, ndjehem shumë mirë. Rrugëtimi që kam bërë për ta njohur traditën e kulturës buknore ka qenë fort inspirues.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Konverzacion” kur jam në universitet, “Lirza” kur jam në shtëpi.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Shumë gjëra. Ja një: kur kam ofenduar miqtë, pavarësisht “a e kanë lypë” a jo.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Çfarë pyetje është kjo?! Pyetje e randë. Nejse. Do të thosha: fëmijët, familja, liria, leximi e ngapak shkrimi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Ka dhanë Zoti! Kam filluar të mendojë se vuajtjet dhe pengesat janë bashkudhëtare të denja të jetës. Shyqyr që ka vuajtje konstante, të përditshme, dhe njeriu e provon ngapak përditë se çfarë do të thotë të jesh njeri, sepse përndryshe çdo vuajtje apo çdo pengesë duket si tirani.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Ende nuk e kam pa veten në te tana pasqyrat e jetës, e s’mund të them shumë. Por, kisha pasë qef me ndërrue pak dietën, sepse trejtet tona janë më të mirat në botë, e spo mundet njeriu me i ndalë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Njeriu mund të sajojë lloj-lloj të arriturash që i mendon për vete. Por, për mua është edhe kjo. Para se me vdekë, nana më pati thanë se kishte qef që unë me krye shkollën në Angli. E ndjej si të arritur që s’kam ndjek udhë tjetër, edhe për arsye të dëshirës së nanës, por edhe për faktin se kjo ka qenë edhe dëshira ime kryesore, ashtu siç ka qenë me u kthye në Kosovë dhe me vazhdue konverzacionin tim këtu.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Asgjë dhe gjithëçka. Si po të duket kjo përgjigje?

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Ky që jam, por më gjakftohtë dhe më pak i turpshëm, me më pak naze, e me më shumë talent për muzikën.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Dashuria.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mjerimi më i madh i njeriut është gjenocidi/etnocidi. Të mjerë janë ata që kanë bërë ose kanë synuar të bëjnë etnocid dhe kanë mbi supe atë mjerim si barrë historike. Mjerim tjetër i madh është shfrytëzimi sistematik dhe i pavend i natyrës nga njeriu në përgjithësi, pa kujtesën se çfarë lidhjeje kemi me natyrën, pa kujtesën se ne jemi vetë natyra, se ne jemi në krye të zingjirit ushqimor, por kemi vënë në zingjir gjithë natyrën. Nuk mendoj se natyra duhet të jetë e virgjër e të mos shfrytëzohet. Por, pasi të shfrytëzohet, natyra duhet të rivitalizohet e të gjallërohet. Ekziston parimi i reciprocitetit në shfrytëzimin e natyrës. Kur merr, duhet të japësh diçka. Ne po marrim shumë dhe po japim pak.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Ku jetoj tani. Në Kosovë. Unë jam kthyer nga Anglia që të jetojë në Kosovë. Njëherë për njëherë, s’e ndërroj jetën në Kosovë me askund. Por, përkohësisht dua të jetoj edhe në vende tjera. Me profesion jam antropolog i kulturës apo etnolog dhe antropologjia synon ta njoh tjetrin jashtë vetes e brenda vetes. Thënë me metaforë, romani i antropologjisë është “Sikur të isha tjetri”. Por, smund të jesh tjetri pa e njohur tjetrin edhe empirikisht, ndonëse ka antropolog që kanë shumë pak terren dhe na kanë dhënë pamje mjaft të mira në këtë roman për tjetrin. Por edhe në Kosovë mund të njihetj tjetri brenda shoqërisë sonë, përball nesh, etj.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

Përgjegjësinë e “po”-së. E vlerësoi “heroin” apo ndjenjën e prijësisë e rrezikut për të hyrë në marrëdhënie reciproke. E vlerësoj ndjenjën e “ndryshimit duke ruajtur” e jo “transformimit duke shkatërruar”. Vlerësoj atë që don të ripërtrijë e ndryshojë ngadalë, sa spontanisht aq me plan përmirësimi, jo revolucionarin egoist e gushgulçues.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

Përgjegjësinë e  “jo”-së. Kur nuk presin më pak se sa reciprocitet në sjellje, punë dhe mendim. Kur nuk viktimizohen. Kur ruajnë integritetin dhe prijnë me shembuj. Kur kanë humor të lehtë, jo të përdalë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

OH! Kënd me zgjedhë?! S’kam përgjigje njëherë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Kjo është pyetje e vështirë. Po përgjigjem në mënyrë abstrakte për t’i ikur pyetjes. Herojtë që e duan ndryshimin duke përmirësuar gjendjen pa krijuar panik. Nuk i dua alarmistët si heronj e si pushtetar, pos si alarmistë të përjetshëm. Duhet ta them edhe këtë: heroi ka një mijë fytyra, por një zemër. Zemra e tij synon të ballafaqohet me të panjohurën, të arratiset, të luftojë, të fitojë (por edhe të vdes) e të kthehet. Heronjtë e mi janë ata që ikin e kthehen, që shkojnë në revolucionin e tyre e kthehen, që rebelohen qoftë edhe pa kauzë e kthehen, të gjallë a të vdekur. Kthimi i heroit është themeli i jetës vazhdueme.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Muzikën ose zdrukthtarinë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Rrap-tap e drejt në at’ dynja.

Cila është motoja juaj?

Buka e kthyeme është themeli i paqes. / ObserverKult