Kiço Londo, drejtuesi që iu dha fizionomi dy teatrove të reja në Tiranë, Teatrit të Metropolit, që u themelua në vitin 2005 dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” të themeluar mbi 10 vjet më parë, për gati 20 vjet të karrierës së tij ia ka kushtuar punës me aktorët e rinj.
Duke e konceptuar skenën si një element nxitës për të krijuar profile aktorësh, drejtuesin dhe regjisorin e njohur Kiço Londo, që kur ishte në krye të Teatrit Kombëtar, gati dy dekada më parë, e ka munduar gjithmonë dilema:
A do të ketë profile të reja aktorësh në skenën e teatrit dhe në ekranin e filmit shqiptar, siç kanë qenë Kadri Roshi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Sandër Prosi, Naim Frashëri, Arbert Vërria, Violeta Manushi, Drita Pelinku, Ndricim Xhepa, e të tjera ikona të aktrimit.
Në një intervistë, të dhënë kohë më parë, Londo rrëfen historinë e rritjes së aktorëve përgjatë tri dekadave, që shënohet me lindjen e ikonave të reja të aktrimit.
Po cilët janë ata dhe si shërbyen dy teatrot e kryeqytetit në drejtimin e tij krahas Teatrit Kombëtar për të tërhequr aktorët e rinj drejt sfidave të reja në rrugën e përsosjes dhe modernizimit të teatrit shqiptar.
Nga Dhurata Hamzai
– Ju kujtojmë se gati mbi dy dekada, që ju jeni aktivizuar në dispozicion të drejtimit të teatrit të rinjve, pse e keni marrë pikërisht këtë nismë që është pjesa më e vështirë, siç është menaxhimi i aktrimit në Shqipëri?
Londo: Si regjisor kam patur fatin të punojë me emra të mëdhenj të teatrit apo të kinematografisë shqiptare, që padyshim ndikuan tek unë, qoftë në formimin, qoftë edhe në konsolidimin e ëndrrës sime për të komunikuar me një publik sa më të gjerë dhe gjej rastin të falënderojë të gjithë ata që më kanë mbështetur.
Dhe me kalimin e kohës njeriu fillon dhe qetësohet dhe mendon sa më thellë për të ardhmen e tij dhe për të ardhmen e pasionit të tij, të ëndrrës së tij. Unë nuk kam ëndërr më të bukur sesa teatri.
E vërteta është se teatri ynë, gradualisht kishte nisur ta humbiste shkëlqimin e vet. Teatri ynë ishte bërë si një teatër veshi, gati-gati si radio. Gjatë kësaj kohe unë nuk e mohoj që ka pasur shfaqje të mira, aktorë të mirë, por e vërteta është se për një kohë të gjatë teatri ynë e nisi të humbiste për një kohë të gjatë orientimin e vet.
Vendosa që të kthehem pak mbrapa dhe të filloj të punojë me aktorë, me regjisorë të rinj. Këtë e fillova kur drejtoja në Teatrin Kombëtar, duke thirrur aktorë të rinj, me regjisorë të rinj.
E nisa këtë në Teatrin Kombëtar, duke ulur ndjeshëm moshën mesatare të stafit, duke e bërë skenën si një universitet, në të cilën studentët mësojnë dhe paguhen, kjo mund të shërbej si material për humor, por ata mësojnë teori e praktikë tek ne dhe marrin mësime nga regjisorë me emër të Europës si Ilvica Buljan, etj.
Për sa u përket aktorëve të rinj, siç po ndodh me zhvendosjen e tyre nga Akademia në skenën e Eksperimentalit, si veproni me përzgjedhjen e talenteve, dhe cilët janë talente?
Londo: Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është krijuar me një mision të veçantë me vendim të Parlamentit e e të qeverisë, dhe qartësia që ka stafi drejtues është deciziv.
Pra zakonisht eksperimentet janë çështje forme në botë, por ka një eksperiencë të mirë të eksperimentit të shëndoshë që shkakton trazime, që kanë të bëjë me raportet e brendshme të aktorit me veten, me partnerin, me publikun. Për këtë arsye përzgjedhjet tona janë të kujdesshme nuk janë sporadike.
Sigurisht ka pasur edhe krijues të rinj, që nuk e kanë përballuar dot këtë arratisje nga tradicionalja, dhe padyshim që kanë mbetur pas e mund të kthehen ndonjëherë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Sigurisht kjo ka kosto, por jemi mbështetur nga Ministria e Kulturës, nga biznesi, nga ambasadat dhe ia kemi mbërritur. Sigurisht ne kemi edhe elitën e re teatrore më aktorë si Alert Çeloaliajn, që janë mbi 40 vjeç, Romir Zalla, Alfred Trebicka.
Do isha i padrejtë, të mos fusja në këtë listë Ervin Bejlerin. Ka edhe emra të tjerë më të rinj si Mateo Dervishaj që premton shumë, Endri Çela që premton edhe si regjisor, edhe si aktor.
Do të llogarisja edhe vajzat si Laura Nezha, e cila është aktive me rezultatet e saj, Ermira Hysaj, Adriana Tolka, që është ambicioze e kërkuese, mjafton të kujtojmë edhe aktoren kryesore të shfaqjes epsh dhe lakmi, Desara Xhangollin, një pjesë të regjisorëve që bëjnë shfaqje për fëmijë e aktorë të rinj.
Unë ju thashë shtatë a tetë emra, që nuk janë pak. Janë shumë dhe kjo e bën teatrin ambicioz. Një vend do t’u lija edhe teatrit për fëmijët, që u siguron fëmijëve një raport komunikimi që sa janë të vegjël me teatrin.
Folëm deri tani vetëm për arritjet, por probleme të aktrimit në Shqipëri dhe të kulturë së të bërit teatër, a ka?
Londo: Shiko. Krijimi i teatrit eksperimental erdhi si nevojë e ndryshimit të situatës. Ndryshimi është domosdoshmëri, duke qenë siç thashë, një teatër që nuk njeh mirë gjuhën e lëvizjes dhe angazhimin dhe studentët nuk përgatiten që rruga drejt suksesit është një rrugë e gjatë e mundimshme dhe kërkojnë që pas dy-tre vjetësh të jenë të famshëm.
Por koha i largon dhe ky është problem më i madh i teatrit. Dhe regjisorë nga bota që kanë ardhur në eksperimental kanë shmangur regjinë imituese të tekstit, duke i dhënë novitet, e duke bërë një punë të mirëfilltë me aktorin, duke shmangur ekzibicionizmat. Këtë duhet ta bëjnë regjisorët, ndërsa aktorët duhet të njohin gjuhën e trupit që të kenë një raport të mirë midis intelektit, gjuhës së trupit, plastikës, etj
A do te kemi pas kësaj shkolle aktrimi, që ju prezantoni, aktorë me karakter si Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, etj, etj?
Londo: Unë ju përmenda disa prej tyre. Ka të tjerë të mirë edhe jashtë teatrit, por Teatri Eksperimental është toni momental i jetës teatrore në vend, që synon cilësinë e shfaqjeve me regjisorët e mirë. Po thërrasim edhe regjisorë të tjerë. (Shqiptarja.com)
*Pjesë e shkëputur nga intervista e dhënë kohë më parë atëherë kur ishte drejtor i teatrit Kujtim Spahivogli
Lexo edhe:
PËRLOTET KIÇO LONDO: “ËSHTË VRARË SHPRESA…”
ObserverKult