Plumbi do të shponte shtatë ekzemplarët e “Rrethimit” të Tajar Hatipit, por do të ndalej në zemër të kopertinës së librit të tetë, “Vepra e Bogdanit” e Ibrahim Rugovës.
Në përmbledhjen me 31 tregime, Hatipi, i cili në Kosovë kishte ardhur gjatë Luftës së Dytë Botërore si mësimdhënës i Ernest Koliqit, shkruan për “një kohë të vështirë lufte që mbolli trishtim, frikë dhe mjerim”, raporton “Express” i KTV-së. Në luftën e fundit, plumbat e ushtarëve serbë përshkuan tregimet e tij, si “Mbledhja në katund” e “Çanta e dajës”. Ishin të radhitura në bibliotekën e shkollës së fshatit Lloshkobare të Ferizajt.
Plumbit të kallashnikovit, nuk do t’i shpëtonte as faqja me stampën e Pjetër Bogdanit, të realizuar nga Ruffoni më 1685. Në shkollë ende ruhen shenjat e dhunës serbe.
Autorin e “Çetës së profetëve”, bashkë me Budin e Bardhin, Rugova i konsideronte kolosë të letërsisë mesjetare shqiptare.
Pos aktivitetit kulturor e fetar, Bogdani, ashtu si Budi e Bardhi para tij, zhvilloi një aktivitet të madh në fushën e organizimit dhe të bashkimit të përpjekjeve për çlirim nga mbretëria otomane, e cila kishte vendosur, siç thoshte ai me plot të drejtë “tirani faraonike”, në një relacion të vitit 1685.
Ejupi ka dorëzuar librin në muzeun e qytetit që të ruhet për brezat e rinj.
Drejtori i muzeut të Ferizajt thotë se elita intelektuale serbe gjithnjë ka pasur cak parësor intelektualët shqiptarë.
Libra e dokumente administrative të shkollës ishin hedhur përtokë nga forcat serbe, të stacionuara në shkollë. Mësimdhënësit Avdi Munishi, Lule Isufi dhe Ymer Ahmeti do të futeshin në shkollë tri ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s.
Amerikanët do të kontrollonin tërë shkollën para se mësimdhënësve t’u lejohej pastrimi i saj. Munishi thotë se më së rëndi e pati kur në kabinetin e punës gjeti të shkatërruara mjetet mësimore.
Iu desh t’i përgatiste nxënësit para se t’ua tregonte modelin trupor në kabinet.
Munishi do ta dërgojë modelin trupor në muzeun e qytetit që vizitorëve t’u rrëfehet historia e tij dhe veglave të tjera laboratorike.
Munishi e Ejupi shpesh kujtojnë sfidat që i kishin kaluar së bashku me dëshmorin Bilall Shala, të vrarë mizorisht nga policia serbe në gushtin e vitit 1998. Shkolla, paraluftës mbante emrin “Përparimi”. Në liri do t’i lihej emri i dëshmorit që punoi në të.
Ata thonë se Shala kishte refuzuar urdhrin e policëve serbë që të shkelte mbi flamurin kuqezi./ koha