Skënder Temali: Shkodrës sime

Poezi nga Skënder Temali

Kam dalë buzë liqenit pa zbardhë
Tek agu nga malet po zbret,
Varg më shndërrohet çdo pulbardhë
Dhe në shpirt e ndjej vehten poet.

Liqeni i Shkodrës është djepi im,
Jastek kam Taraboshin, Ruminë,
Për ninull jaret, kto arie n’shkëlqim
Dhe nanëloken, Rozafen, mëmsinë!

A ka kund në botë më t’pasur se unë,
N’liqe, në lumenj e në detë,
Me flamur t’shpalosur në luftëra-furtunë,
Me fusha e male me kokën tek retë!?

O Shkodër, të falem, në gjunjë të bie,
Kaq pak kam bërë për ty në dekada,
Qytet hijërandë, me nur perëndie,
Në jetë të jetës mbi ty mos raftë nata!

ObserverKult


Lexo edhe:

SKËNDER TEMALI: ME RROGËN E PARË NËNËS I BLEVA NJË SHAMI…

Kur mora rrogën e parë nënës i bleva një shami,
Një shami ku vajzat e kombinatit kishin hedhur pranverën,
Ku kishin qëndisur ëndrrat e tyre në trajtën e luleve,
Me një harmoni të çuditëshme,
me diell.

Vrapova me të në duar drejt dashurisë tënde,
Erërat ma morën shaminë dhe e ngritën në horizont,
Ma morën nga duart dhe e hodhën
Mbi kokat e zbardhura të gjithë nënave shqiptare,
Mbi shpirtin e tyre hodhën lulet e fushave,
të rudinave
e maleve!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult


SKËNDER TEMALI: PUTHJA E PARË

Doja ta ruaja vjeshtën kur ty të putha,
Ndaj e ruajta gjithë jetën një gjethe të saj
E s’kam pse bëj të virgjërin as sot mbushur me rrudha
Dhe me njerëzit e dashuruar atë të mos e ndaj.

Ka një Everest kujtese puthja e parë
Që s’ka ekuivalencë me një milion të tjera,
Që shkojnë e vijnë si zogjtë shtegtarë
Ca që përzë dimri, ca që sjellë pranvera.

Kam rënë në gjunjë veç para flamurit kuq e zi
Kur bëra betimin si çdo ushtar,
Por as kur buzët vura mbi palët e tij,
Pse t’u gënjej, s’më shijoi si puthja e parë!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult