Kujtim Morina: Dimni n’ dy pamje

Ka ra nji borë e madhe,
sa me mbulue nji bojë njeri.
I ka zanë gati krejt dritaret,
sa duket vetëm qielli i kaltër.
Megjithëse edhe bora bjen dritë,
gati me t’i verbue sytë.
Si the? Kanë çelë lule mimozat!
Këtu jemi mbyllë si në një ishull t’bardhë,
sa ka humbë edhe vija e horizontit.
Toka e ruen të ngrohtin e saj,
e fshehun nën shtresën e t’ftoftit.

…..

Ka ardhë Dita e Verës!?
Po këtu jemi në mesin e dimnit.
Pa u shkri bora e parë ka ra nji borë tjetër,
megjithëse dallohet bora e re nga bora e vjetër.
Pemët janë lirue pak nga pluhni i bardhë,
kanë fillue t’ndihen zhurmat si ma parë.
Prrojet po gjallnohen pak e nga pak,
si vajzat e reja që nxjerrin trupin hollak
Veri fryn ma rrallë me turfullim,
ia lëshon vendin erës që ngrijën e shkrin.
Pranvera asht larg, si nji andërr e bukur,
mbështjellë me shtrojet e dimnit t’palumtun.