Tregim nga Ragip Sylaj: S’kam kohë të jetoj me vdekjen!

ragip sylaj

Nga Ragip Sylaj    

Mjeshtrit e talentuar ma vjedhin kohën dhe m’i ngulin plagët në shpirt. Përditë më vrasin ata që më duan, më vrasin me dashurinë e tyre që nuk e kanë.

Ma vrasin këngën ata, që e kanë përjashtuar atë nga vetja. Djalli shpeshherë zë në thua në mua dhe nuk di kah e thyen qafën.

Atë e ndjek një mallkim i moçëm sa vetë koha dhe vjen e më ankohet pse e ka bërë Zoti të djalltë. Nuk di pse kërkon shpagim nga unë? Do ta shpëtoja po ta meritonte, por nuk mund ta shpëtojë ai që nuk e ka në dorë ta shpëtojë veten.

I vetmi shteg i tij mbetet humnera e terrtë: të mos e shohë askush. Të fshihet në ndonjë trup tjetër derisa ta harrojnë e derisa të mendojnë se ai është zhdukur dhe të shfaqet sërish me joshjen e ëmbël, me nektarin mashtrues që e sajojnë vetëm djajtë.

     Të gjithë atyre që nuk ua kam dhënë, ua kam borxh jetën. Po kush është ai që do t’ia dorëzojë shpirtin një ditë? Zoti – krijuesi dhe shpëtimtari im.

     Derisa po mendoja për këtë gjë, cigaren, duke dashur ta shkundi në taketuke, desh e shkunda në filxhanin e kafesë, që e kisha ende përgjysmë. E kundroja çunin tim, i cili po merrej me një bllok vizatimi dhe me një tubë ngjyrash. Për kureshtje, e pyeta se ç’po bënte?

Ma ktheu: po e vizatoj diellin që nuk më ngrohu kurrë.

Gruaja hyri në dhomë duke u dridhur nga të ftohtit dhe, kur e vrenjti ballin si qielli i sterrosur në vjeshtë (me dëshirën për të më fajësuar mua si gjithmonë) ia ktheva se dhoma ishte ftohur ngaqë pak më parë kisha menduar ta hapja derën e ballkonit.

Mllefin që ma dhuroi ia ktheva mbrapsht. Pezmi ma nxori edhe këtë mendim, që ia kallëzova sall vetvetes: njeriu është një zot i vogël që shpenzohet përditë, derisa ta përkëdhelë fryma e vdekjes.

E vdekja, para pak kohësh, i kishte puthur një plakë të re dhe një plakë të vjetër të anës sonë. Dorës së saj iu kishte dorëzuar edhe një plak i vogël, që e njihte krejt nahija jonë dhe një plak i ri. Atë nuk e njihte askush përveç bashkëfshatarëve dhe miqve të tij. Ishte e çuditshme sesi shkonin me radhë nga kjo botë pa lamtumirë!

     Derisa kryhej riti i përgatitjes së kufomës, çuni im më pyeti se ç’do të bëhet me trupin e tezës H. I thashë se do ta fusnin në dhé. Ai vetëm më pyeti: A mund të marrë ajo frymë në dhé?! Çuditërisht, në një rast tjetër pothuajse ngjashëm më kishte pyetur: “Babi, n’varr a rritet njeriu?!” Dhe, unë, përveç që kisha ndier frikë, nuk kisha ditur t’i jap përgjigje.

    Më kaploi një ngashërim sa për tezen H., sa për veten, sa për çunin: mendova sa shpejt digjet jeta.

    Pyetja e Diellorit ma kujtoi vajin e gruas sime ditën që e patëm varrosur foshnjën tonë të parë: në mbrëmje pati fryrë një erë e tërbuar e përcjellë me shi e vetëtimë. Trëndelina më pati pyetur: A thua tutet foshnja nga era e çmendur? Ajo nuk mund të pajtohej se pjesa e gjallë, që ishte shkëputur nga barku i saj, ta kishte dhënë frymën e fundit. Njerëzit vdesin. Ndoshta kthehen në shtëpinë e Atit tonë.

Zoti e merr hisen e vet. Mirëpo, lamtumira është prore pikëlluese, djegëse. Ne kalojmë nga njëra portë e jetës tek ajo e fundmja.

Atë na e mbyllin të tjerët, ata te të cilët jetojmë, përcillet vazhdimësia jonë. Për ta jemi rropatur të japin fruta për kopshtet jetësore të kësobotshme dhe të parajsës së ëndrrës së pamortë.

     Në çaste të tilla e kujtoj peizazhin pikëllues të varrezave, ku rrebeshet e shiut e shndërronin çdo gjë në baltë, madje dhe vetë njeriun. Ndoshta tërë ai shi binte si këmbim i mungesës së lotëve tanë, ndoshta që të mos vëreheshin lotët e ligësisë sonë, ndoshta …

     Ne bëjmë lutje dhe themi uratë për shpirtrat e tyre dhe ua kthejmë shpinën, ndërsa ata na ndjekin nga prapa në kujtime, nuk duan të na braktisin. Bëhen edhe vetë pjesë e gjallë e kortezhit mortor të tyre.
     Kush ka vdekur?- pyet dikush që e sheh tërë atë karvan njerëzish.

     Jo, jo, askush,- vetëm ishim deri atje ku përtojmë të pushojmë përgjithmonë, ku kërkojmë të vëmë shpesh nga barra e jetës dhe pastaj pendohemi; na këputet fryma për së gjalli.

     Kthehemi te shtëpia jonë, ne të cilët kurrë nuk patëm shtëpi, m’u bë se u përgjigj baci M., i cili në prag të vjeshtës vdiq nga kanceri në mushkëri.

Ishte një sëmundje që nuk e kishte lakmuar kurrë, por kush e di si u përvodh dhe i hyri në trup. Dikush tha, përmes duhanit, tjetri – se ishte tepër i mirë për të jetuar më gjatë: nuk i villte helmet që ia dhuronin të tjerët. Të gjitha i mbante për vete.

Nuk donte ta ndynte ambientin. Ishte një adhurues i ekologjisë edhe pse nuk dinte ç’është ekologjia. Kryesorja tërë kohën e kalonte në fushë; ajo i jepte jetë dhe gjerësi shpirtit të tij të gulçuar.

Kur e pyeta një ditë se ç’po bënte, ma ktheu: Para dite po rri, ndërsa pas dite po pushoj, po lodhem duke ndejtur.

Kur m’u kujtua kjo mahi e tij ditën e varrimit desh ia plasa gazit, por më erdhi keq prej tij dhe turp prej vetes. Gjindja të thonin se jam i hallakatur, ndonëse nuk kishte mbetur pa dalë fjala se njeriu që rri mbi libra, s’kish si të ish ndryshe.

      Më thanë se ka vdekur me sy çelë. Unë pata shpejtuar përmes rigave të shiut ta arrija varrimin. Kur preka në varrezat e katundit, e pashë vendin ku kisha vdekur shumë herë dhe desh më kaploi vaji.

Desha t’u thosha gjithë atyre budallenjve se nuk jam i lig, po brenda meje po qante fëmija, pikërisht ai fëmijë që baci M. shpeshherë e ka gëzuar me sheqerka edhe kur ka pasur skamje.

Po qante fëmija, të cilin ky plak i ri disa herë e mori në mbrojtje, madje edhe kur nuk duhej. Në vend timin dhe të të gjithë atyre që përmbaheshin padrejtësisht nga vaji, lotët e bilurtë i derdhte qielli; ai na qullte, na bënte të përgjumur.

     Nga balta jemi krijuar dhe në baltë do të kthehemi, e gatoi hoxha në fund tërë atë që e bluaja në kokë, në fillim. “Pasi të vdesim kemi me u ngjallë”, shtoi një tjetër, që mërmëriste si i shenjtë dhe që e kishte njërën këmbë mbi dhé e tjetrën nën dhé. Mirëpo, vdekja, thonë, nganjëherë nuk gënjen, desha të plotësoja, duke e kundërperifrazuar Sadek Hedajatin e “Bufit të verbër”. Heshta si gjithmonë. Nuk më kuptonin. Në gjuhën e heshtjes nuk nyjëtohej ajo që do të duhej ta thonin mëkëmbësit e Zotit në tokë.

     Pas varrimit ndieja si po më hynte ftohtësia e fillimit të vjeshtës në eshtra. Pikëllimi më shumëfishohej. Më duhej të ikja nga katundi, larg të gjallëve dhe të vdekurve të mi, për ta vazhduar gjallimin e atyre që vinin pas meje.

Doja të heshtja, por më doli vetvetiu zëri dhe u thashë të afërmëve: Më ndjeni, nuk kam kohë të jetoj me vdekjen! Njëmend, ua kam borxh jetën të gjithë atyre që s’ua kam dhënë.

 * * *    

Mjeshtrit e talentuar ma vjedhin kohën dhe m’i ngulin plagët në shpirt. Përditë më vrasin ata që më duan, më vrasin me dashurinë e tyre që nuk e kanë me vete.

Ma vrasin këngën ata, që e kanë përjashtuar nga vetja. Djalli shpeshherë zë në thua në mua dhe nuk di kah e thyen qafën. Atë e ndjek një mallkim i moçëm sa vetë koha dhe vjen e më ankohet pse e ka bërë Zoti të djalltë.

Nuk di pse kërkon shpagim nga unë? Do ta shpëtoja po ta meritonte, por nuk mund ta shpëtojë ai që nuk e ka në dorë ta shpëtojë veten. I vetmi shteg i tij mbetet humnera e terrtë: të mos e shohë askush. Të fshihet në ndonjë trup tjetër derisa ta harrojnë, derisa të mendojnë se ai është zhdukur dhe të shfaqet sërish me joshjen e tij të ëmbël, me nektarin mashtrues që dinë ta sajojnë vetëm djajtë.

ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

SABIT RRUSTEMI: KËTË ZEMËR VETËM MOS E LË