Gjithçka asht’ andërr, shpirti jem,
nji andërr e bukur, nji andërr e keqe…
Merre si t’dush’, njilloj asht’,
krejt njilloj…pse çuditesh?
S’ka ndonji ndryshim mes “mos me kenë”
dhe hapave t’lehtë që ikin n’mjes
për t’mos u kthye ma,
për t’mos u kthye kurrë.
Aroma n’shtroja,
si fllad i lehtë pranvere
përbirue xhamave
asht’ mbetja e fundit.
Mundesh me e lypë nji fije lumnije
tuj zmadhue sytë mbytun lotsh
me ba be n’ta, se ishe ti, se ish ai…
me u kapë mas do urtive t’moçme
me thanë kshtu qenka shkrue
e me rrnue tuj e mbyllë dhimtën
thellë burdurave t’shpirtit…
Ose, mundesh me i kërcitë dhambët,
me u jargavitë, me u çkrry, me u çky,
me e vjerrë ni guri n’qafë e me u mbytë,
por, prapë andërr mbetet, shpirti jem, veç andërr,
nji andërr e bukur, nji andërr e keqe,
krejt njilloj, punemadhe si e emnojmë,
diçkanë që fund e krye kaplue asht’ prej trishtimi…