Gjaku më djeg e vlon si llavë e nxehtë…

Nga Mihallaq Qileri

Më ka marrë malli, po të them, shpirt, e marrë,
Sëmurë e tretur nga trishtimi i largësisë…
Më ka marrë malli ëndërr e zhuritur, pa fjalë,
Më heq zvarrë prej shekujsh marrëzia e dashurisë.

Nuk e di kur kthehesh si zhgjendër, duarbosh,
Nuk e di pranverë a vjeshtë vallë do të jetë,
Ndjej një dhimbje që gjoksin ma shkallmon,
Gjaku më djeg e vlon si llavë e nxehtë.

E shoh qiellin, tërbim i pa fund, që vjen gjer te ti
I shoh malet greminathyer që gjer aty kurizin zgjatin
E shoh hënën që perëndon e trishtuar e them të vij
Po më trembin retë qe grinden e qiellin zbrazin.

E shoh botën të verdhë, të trishtë, të vdekur,
Që fjalën ka prerë si kockë e mbetur në fyt,
Asnjë përgjigje nuk më kthen kjo jetë e mekur,
Asnjë shpresë të të shoh nuk më ka mbetur.

Në s’vjen javën tjetër, por të them, me shpirt,
Në s’vjen gjer të enjten kur dita gdhin e mirë,
Hënën do zbres në tokë të zbehtë, të sëmurë, pa dritë,
Të shuaj botën e vjetër që e keqe bëhet përditë!

ObserverKult