lozonjare bishtdredhurat ecin
litarlidhura e dorë më dorë
flokëkrehura ditët me kurorë
gjëmëmadhen brenda gjoksit fshehin
sall kujtimet përbirohen pas teje
ndezur në mangallin e mallit të zi
krahët e bardhë të shpirtit bëhen hi
digjet pranvera zjarrit prej rrufeje
në njërën nga këto ditë prej drite
derdhur prej syve të saj bojëqielli
botën pashë veshur me lule dielli
e gjëma e ditëve u shemb mbi mua
varkën e gjoksit tallazet copëtuan
e mira moirë degësh u këput ftua