Arjola Zadrima: Na ishte një vend ku hanin kryet e njeni-tjetrit…

arjola zadrima


S’mundem me shkrue në këtë gjendje,
dita shumë e shkurtë
për telashet e një gruaje,
andrra shumë e madhe.
Qyteti një hinkë
që derdh mbi Bunë
edhe komeditë komerciale të një shteti
në grahmat e tij.
Lajme vijnë nga krejt anët
gjermanët, italianët, amerikanët
anglezët,
veç shqiptarët s’duen me ia ditë
për vedi.
Një burrë kujtoi se ranë kufijtë
dhe bashkë me gishtin
donte seksin.
Njerëzit heshtin,
rroga shtyn deri më datë 15,
mandej shtyhena vetë
tuj vjedhë njeni- tjetrin.
Veç qeveria nuk i ka fajet
pse komunizmin e kena shpirt e atdhe.
Na ngjajmë me ata
por për ata, jena gjithmonë, tjerët ne.
Fëmijët mbyllën shkollën
shpenzime ma pak,
pensionistët u rrejtën prapë
me dy kafe te klubi i lagjes
nga shtesa e pensionit.
Unë i bi botës me mend rreth e qark
ku vallë mund të jetë destinacioni
Nuk ndij ma asnjë lajm,
televizori ásht edhe ky një armë,
ose opium për ditë ma pak.
Ah, prapë do këtë re nesër,
por jo shi,
ah botë e pashpirt sa më ke lodhë.
Ah, sikur të isha një injorante ma shumë,
apo veç fëmijë
për një çast…
Nuk mundem me shkrue në këtë gjendje,
më duket sikur po u kallzoj
një përrallë që e dini përmendsh.
Na ishte njëherë një vend
ku hanin kryet e njeni-tjetrit…

ObserverKult