Sipas planifikimeve buxhetore të Komunës së Prishtinës, hapësira për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center” do të jetë gati më 2022. Për këtë projekt dhe dy të tjerë që janë listuar së bashku në planifikimet buxhetore, sivjet janë ndarë 800 mijë euro, për vitin që vjen 300 mijë e për vitin 2022 edhe 900 mijë të tjera. Por, ani pse puna ishte dashur të niste qysh në shtator të vitit të kaluar, tash s’ka as afat
Nga planet që puna për “Sunny Hill Academy” të niste në shtator të vitit të kaluar, tashmë nuk ka një afat për këtë. Krejt çfarë është bërë për projektin ku përfshihet edhe akademia e nismuar nga Dua Lipa, është një paralajmërim që “Sunny Hill Academy” të funksionalizohet në ish-ndërtesën e Shkollës Amerikane të Kosovës (American School of Kosova). Sipas planifikimeve buxhetore të Komunës së Prishtinës, hapësira për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center” do të jetë gati më 2022. Për këtë projekt dhe dy të tjerë që janë listuar së bashku në planifikimet buxhetore, sivjet janë ndarë 800 mijë euro, për vitin që vjen 300 mijë e për vitin 2022, sipas Ligjit për ndarjet buxhetore parashihen edhe 900 mijë të tjera.
Në gusht të vitit të kaluar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe themeluesi i fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, kishin nënshkruar marrëveshjen për dedikim të hapësirës për “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”. Fondacioni kishte ndarë 200 mijë euro për këtë projekt. Në hapësirën që gjendet në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në kryeqytet do të zhvendosen edhe shkolla e mesme e ulët e muzikës, “Prenkë Jakova” dhe fondacioni “Bonevet”. Më 8 prill, Komuna e Prishtinës ka publikuar një “njoftim paraprak” në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik./koha