Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë depozituar ditën e sotme një padi penale në SPAK kundër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kryebashkiakut Erion Veliaj pasi sipas tyre kanë kryer veprën penale ”Vrasje të mbetur në tentativë” mëngjesin e 17 Majit.
Juristja Adriana Kalaja deklaroi se kërkojnë që SPAK të marrë masat e duhura që të mos ketë fshirje të provave dhe manipulim të tyre.
“Një grup nga qëndrestarët në mbrojtje të Teatrit sot kemi depozituar një kallëzim kundër Lleshajt, Veliut dhe Veliajt. Ata akuzohen për ” Vrasje të mbetur në tentativë”. Kemi parashtruar faktet tona. Ka mundësi shumë të madhe fshirja dhe manipulimi i tyre.
Jemi besimplotë se SPAK do të marrë masat e duhura. Atë natë në shesh ishin rreth 120 vetë, por është e pamundur të bëjmë kallëzim kolektiv ndaj ne përfaqësojmë edhe pjesën tjetër. Kam besim se SPAK do na thërrasë. SPAK ka nisur hetimet për kallëzimet e bëra nga ne. Edhe me kallëzimin që ne bëmë sot, jemi besimplotë që SPAK do nisë hetimet”, u shpreh Kalaja.
Ndërsa regjisori Robert Budina deklaroi se dosja e dërguar në SPAK do të përkthehet dhe do të dërgohet për hetim ndërkombëtar.
“Ne presim të fillojë hetimet dhe këtë dosje do ta përkthejmë dhe do e çojmë për hetim ndërkombëtar. Ne u sulmuam nga RENEA dhe nuk ka asnjë përgjegjësi. Patë gjë ndonjë dhunë nga ne. Automatik në kokë, si ta vërtetoj unë këtë në mes të errësirës. Është fjala ime kundër atij ministrit.
Ne si përfaqësues të mbrojtjes së Teatrit këtë mund të bëjmë. Ku janë të tjerët, pse vetëm ne dalim këtu. Ku është pjesa e shëndoshë e kësaj shoqërie. Kemi qëllim vetëm të rikthejmë tempullin e Teatrit. Ky pushtet thotë se ka votat e shumicës dhe ju shemb juve. Ne duhet të vërtetojmë se e gjejmë të drejtën tonë. Unë besoj në punën tuaj dhe keni rrezikuar bashkë me ne. Hajde ta fitojmë këtë betejë”, u shpreh Budina.