
Sekretari për çështje ligjore i Partisë Demokratike Çlirim Gjata dhe ish-deputetja e PD, Albana Vokshi, kanë dorëzuar pranë SPAK kallëzimin penal ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryebashkiakut Erion Veliaj, Arbjan Maznikut dhe të gjithë drejtorëve e inxhinierëve që kanë firmosur dhe kanë qenë pro shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar.
Në një dalje për mediat, ish-deputetja Albana Vokshi ka bërë me dije se Partia Demokratike ka kërkuar nga prokuroria edhe vendosjen në sekuestro preventive truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndër të tjera Vokshi ka paraqitur kallëzim penal edhe për kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës Toni Gogon, drejtorët Agron Hysanlliun, Maringlen Qaton, Dallëndyshe Bicin dhe të gjithë drejtorët e tjerë të institucioneve që kanë firmosur për shembjen e Teatrit Kombëtar si dhe për çdo arkitekt e inxhiner që kanë firmosur po ashtu për shembjen e Teatrit.
Bazuar në VKM-në 377 të datës 8.5.2020 ku pasuria nr 1 zona kadastrale 81/50 Teatri Kombëtar dhe Kompleksi Skanderbeg i kaloi Bashkisë së Tiranës, Vokshi ka kërkuar hetimin e këtij kalimi nga ana e SPAK.
Sipas ish-deputetes ky kallëzim do të provojë efikasitetin dhe vërtetësinë e SPAK, pasi sipas saj SPAK i ka tashmë të gjitha faktet për të vepruar.






