Pandemia mbyll edhe “Shotën”, stafi në vetizolim

Stafi administrativ i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” prej sot (e enjte) është në vetizolim. Punonjësi i këtij institucioni, që dyshohej se është infektuar me koronavirus, ka rezultuar pozitiv të mërkurën.

I njëjti është bashkëshorti i punonjëses së Galerisë Kombëtare të Kosovës, e cila kishte rezultuar pozitive në testin për COVID-19 të martën. Si pasojë, pas Galerisë tashmë edhe “Shota” është mbyllur. Megjithëse punonjësi i këtij institucioni nga e mërkura e javës së kaluar ishte në vetizolim, Ministria e Kulturës do të kërkojë testim për punonjësit e “Shotës” dhe disa të vetë Ministrisë që ishin raste kontakti, transmeton ‘koha.net’.

“Punonjësi i ‘Shotës’ ka dalë pozitiv. Edhe pse ai ka qenë në vetizolim nga e mërkura e javës së kaluar, ne kemi kërkuar vetizolim të punëtorëve të ansamblit të cilët kanë pasur kontakt me punëtorin në fjalë. Të enjten do të kërkojmë testimin e punëtorëve që kanë pasur kontakt me të infektuarin”, ka thënë Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës.