Aleksandër Bllok: Do të këndoj për ty sa qielli ta ndjejë zërin tim

O, dashuria ësht’ e lirë,
Por mbeta robi tënd!
Por shoh në ëndrrën më të dlirë
Të zjarrtin trup që çmend!

Për krahët e bukur fortpushtues,
Për syrin që shkëlqen,
Për ta pasioni kotshpresues
Të fle s’më lë Karmen!

Do të këndoj për ty sa qielli
Ta ndjejë zërin tim
Për ty ndriçim do marr nga dielli
Nga yjtë do marr shkëlqim.

Ti vjen si dallg’ e shkumëzuar
Mbi det të vargut tim.
Ç’më le, Karmen kështu në duar
Kaq shumë kundërmim …

Si shkrepëtimë, natën vonë,
Që shkrep në çast dhe fik
Më shfaqet trupi yt gjithmonë
Dhe sa më shfaqet, ik.

Por kam një shpresë t’ëmbël, thellë,
Që ty, larg nga ky vend,
Pa dashur rasti të ta sjellë
Dhe të të bjerë ndër mend.

Dhe mbi stuhirat, mbi trazirat,
Ku jeta ime zjen,
Veç ky mendim ka për t’u ngritur
Si rrug’ e bardh’, e drejt’, e ndritur,
Që vjen tek ti, Karmen!

Përktheu: Petraq Kolevica

ObserverKult


mihallaq qilleri

Lexo edhe:

ALEKSANDËR BLLOK: KALUAN VITET, POR S’KE NDRYSHUAR…

Kaluan vitet, por s’ke ndryshuar;
E rregullt, e bukur, e qeshur përvit,
Veç flokët ke pak me të shtruar
E përmes tyre thinja ndrit.

Dhe unë me pirgje librash pranë
E plak, kërrusur përmbi to,
Me një mendim pafund e anë
Fytyrën tënde te qetë shoh.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


ALEKSANDËR BLLOK: KUDO MË SHFAQESH…

Kudo, në pyll apo në arë,
Edhe në tokë, dhe në det,
Kështu, të afërt, si më parë
Kudo më shfaqesh, dit’ e net.

Për trupin tënd me qyrk mbuluar,
Mbuluar krejt me avuj resh,
Për të këndoj siç kam kënduar
Shtëllunga vargjesh thurr e s’rresht.

Dhe nëpër vjete, a nëpër dete,
Kur pi a lutem a lakmoj
Ty, bij e ndritur e lirisë,
Kudo njëlloj të dashuroj.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult