Ajo erdhi bashkë me Valsin Pranveror
dhe partiturat i mbante nën sqetull
dikur moti në shtëpinë midis pyllit
kishte mbushulluar pikëllimi i vjetër.
Pastaj mbi piano hoqi pëlhurën
mbuluar me pluhur si bora mbi aurë
jam Ana Livia… Ana më thërrasin
e gishtat e saj luajtën mbi tastaturë.
Këtu jeton ti?, më pyeti dikur vonë
këtu i thashë!, mes vetmisë e drojës
shtëpisë midis pyllit ajo i dha shpirt
pasion i dha me nokturnot e natës.
Ajo flinte gjumë tek këmbët e pianos
vesa e mëngjesit rrëzëllente plot magji
zogjtë e ikur moti u kthyen sërish
këngët pa fund s’ndaleshin mbi çati.
Shiu binte prajshëm netëve të gjata
fytyra i shëndriste si pikturë në vaj
shiu s’prante që s’prante duke rënë
shpëlante magjishëm bukurinë e saj.
Ajo iku papritur një mëngjes të hirtë
bashkë me shiun përzier me mjegull
nën sqetull i mori kujtimet e mia
mori partiturat dhe Marshin Funebër.