Migjeni: Legjenda e misrit

migjeni kangët e pakëndueme

Misër! Misër!
Në shekullin e njizetët s’ka apoteoza perëndìsh, por ka apoteoza misri. Bjeshkët t’ona, qi dikur qenë lteret e apoteozave perëndìsh, sot janë lteret e apoteozës së misrit.
Nji kokërr misër àsht nji kokërr dhimbje kur ka shumë ù e aspak misër.

Fjala misër përmban në vete legjenda të linduna nga deshira për jetë. Deshira për jetë àsht e madhe dhe e mahnitshme sa dhe malet t’ona qi hapin gjitë për me varrosun njerzit e unshem. E në naltësìn e maleve vigana, legjendë àsht dhe lindja, legjendë àsht dhe jeta, legjendë àsht dhe vdekja. Dhe kjo legjendë e idhtë, dhe plot vuejtje historike, në shekullin e njizetët àsht e thekshme, zèmër-brese dhe të ban të qajsh.

Misër! Misër!
Thirrja për shpëtimin e jetës! Apoteozë e shekullit të njizetët! Emën perëndìsh sot nuk xajnë me gojë fëmitë qi po sa kan fillue të belbëzojnë, por misër! miser! –àsht fjala e ditës, àsht sinonim i jetës për banorët legjendarë të këtyne maleve t’egra.

Ushtojnë luginat e malevet nga fjala e malsorëvet t’unshem, që vargue, njeni mbas tjetrit, ecin të ngarkuem me nga nji gjymsë thesi misër. Vargu i tyne àsht i gjatë, pa fund, si àsht e gjatë e pa fund vuejtja e tyne. Mbi korrizë të vet barin nji gjysmë thesi me misër, barin jetën e vet, barin perëndin, Perëndì e vërtetë, misër i dëshirue.

Misër! Misër!
Lajmi se do të shperndahet misri, doli nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt e thella te gjymtyrët e mbira të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s’kan me ç’ka t’a mbajnë frymën.

Si thneglat që mblidhen rreth nji kodrës misri, q’ashtu në nji qender nënprefekture janë mbledhun malsorët rreth depos së misrit. Katundarvet që përfshinë nënprefektura do t’u ndahet misri. Malet, t’egra me mjegull e borë, qiella tue derdhë shì që të lagë deri në palc, kishin dashtë t’ia presin rrugën malsorit.

Por kush i a ndalon atij hovin kur shkon me marrë misër! Misër për fëmì të nximë nga mjerimi, të cilët kur duertë shtrijnë u përngjajnë lugetënve të vocër. Dhe këta fëmì janë dëshmorët e vërtetë të tragjedìs njerezore. Dëshmorë tragjikë në kët skaj të dheut, të ciltë njerzimi i huej i kujton ndër legjenda historike. Legjenda historike me nji lumnì legjendare. Se lumnija e vërtetë àsht larg, tepër larg nga këto foletë e shqypeve.

Nepër luginat e maleve përshkohet malsori vetëm me nji kemishë-e-brekë legjendare mbi shtat për me arrijtë në qendrën e nënprefekturës, me marrë misër. Krahnori i tij àsht nji copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë.

E përpara depos së misrit bjerrë cilsinë karakteristike të veten, dhe bahet frigacak. Bahet servil, frigacak, pse, – mendoi ai – nj’àshtu e do ligji, nëpunesi; përndryshe s’ka misër. “Si urdhnon zotnì” përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani, me gjeste majmuni – vetëm e vetëm mos me zgjue mnìn e engjujvet që ndajnë misër.

Dhe kur e marrin misrin nisen njani mbas tjetrit gjatë udhës së ngushtë të malit dhe të jetës. Ndodhë qi njenit i derdhen kokrrat e misrit nepër birë të vogël të thesit; shoku mbrapa, pa i pà, i shkelë, e i treti shok, as nji as dy, por i a hjedh mallkimin e pamshirshëm: “Mos i shkel he të shitoftë Zana”!

Se shekulli i njizetët àsht shekulli i apoteozëz së misrit nder foletë e shqypeve.

ObserverKult

——————–

Lexo edhe:

MIGJENI: O GRUE, QË T’NDESHA NË DITËN E FATKOBIT TEM…