Njohja me polifoninë e Jugut, por edhe Eposin e Veriut, e çoi atë natyrshëm drejt kërthizës së Shqipërisë, në kryeqytetin e saj.
Një qytet me njerëz të butë, mikpritës, që e dashurojnë jetën, pa dyshim që ka edhe një muzikë të mirë, që është bërë pjesë e të gjitha gëzimeve, nga Jugu në Veri.
“Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë” (botimet ‘Mediaprint’) është libri më i fundit studimor i akademikut Vasil Tole. Një rikthim në rrënjët e saj, te ndikimet që ka pasur nga kulturat e tjera dhe që ajo vetë ka rrezatuar.
Përmes një interviste për gazetën “Panorama”, Tole ndan rrugëtimin e tij përmes këtij studimi, kënaqësinë që ka marrë prej komunikimit dhe falënderimet e aq shumë ‘tironsve’, që nuk i kishte takuar kurrë më parë, por edhe disa nga tiparet e muzikës tiranase. Ndryshe nga një bindje e krijuar, Tole thekson se muzika qytetare e Tiranës nuk është e ndikuar nga muzika orientale dhe ajo është po aq e pastër sa edhe polifonia apo Eposi i Veriut.
Së pari, na shuani kuriozitetin se si një përmetar iu qas muzikës tiranase. Cila qe nxitja?
Nuk mund t’i aviteshe muzikës tiranase si fenomen kulturor nëse nuk kishe eksploruar më përpara dy tipologji kryesore të muzikës popullore, që janë shumëzërëshi i Jugut dhe njëzërëshi i Veriut. Tirana si zonë etnokulturore është e vendosur në qendër të Shqipërisë, një zonë e ndërmjetme, në kontakte intensive me jugun dhe jo rastësisht në disa fshatra, si në Vrap apo Shëngjergj, gjen gjurmë të këndimit polifonik; ashtu siç është në komunikim me Elbasanin, si qendër e fuqishme e muzikës popullore apo Shkodrën, të cilat i kanë formësuar prej kohësh profilet e tyre. Pra, për të dekodifikuar Tiranën si strukturë në muzikën popullore, duhej të njihje këto dy zona, me të cilat muzika popullore tiranase ka kontakt dhe ka krijuar fizionominë e saj në vijimësi. Kështu që, dhe të qenit përmetar më ka ndihmuar në punën time 40-vjeçare si studiues. Jam marrë me shumëzërëshin e Jugut dhe njëzërëshin e Veriut, qoftë në format fshatare si Eposin, lahutën apo çiftelinë, por edhe me muzikën qytetare dhe tani, thjesht duke i pasur këto dy burime, m’u duk shumë e natyrshme të gjeja këtë bashkësi elementesh, që reflektohet në muzikën tiranase.
Libri juaj paraqet një punë të gjatë studimore, jo thjesht një përshkrim historik, por i pasur me transkriptime, fotografi, madje dhe një CD me këngë.. A ka qenë e vështirë mbledhja e këtij materiali?
Vështirësia ka qenë e madhe, sepse nuk ekziston një punim paraardhës me muzikën tiranase në fokus, një pikë referimi, të cilën ta çoja përpara duke e zhvilluar apo kontestuar, siç ndodh zakonisht me punimet studimore. Ka pasur elemente, si studime për vegla muzikore, si ai i Ramadan Sokolit, i cili prek edhe veglat muzikore të zonës së Tiranës, por pa u marrë gjerësisht me to; apo siç janë studimet e profesor Ramazan Bogdanit në fushën e valles; apo në rastin e Hysen Filjes, një emër i rëndësishëm i studimeve tona etnomuzikore, i cili është marrë me botimet e muzikës së zonës së Tiranës kryesisht, transkriptime, shoqëruar me tekste hyrjeje të shkurtra… Por nuk ka një tekst që ta shoh nga themelet. Pra, kemi elemente dhe artistë të shquar, si Fitnete Rexha, Dullë Derhemi, muzikanti i parë i ahengut tiranas, për të ardhur më pas te Hafsa Zyveri, Xhevat Xhepa, Xan Zyberi, Muharrem Gurra.. Ka qenë një yllësi, por që nuk arrinte të ndërtonte një mozaik të të gjithë pamjes. Për të ardhur te ky studim, kam aktivizuar të gjitha këto elemente.
Dhe ç’na thotë sot ky mozaik? Cilat janë veçoritë e muzikës tiranase?
Muzika popullore e Tiranës është një fenomen që konsolidohet në gjysmën e parë të shek. XX. Siç e përmenda edhe më herët, krijimi i saj u kushtëzua nga tri elemente thelbësore: nga hyrja e instrumenteve të temperuara evropiane; së dyti, nga fqinjësia artistike me tri kultura të mëdha muzikore qytetare si ato të Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit; dhe së treti, nga njohja dhe shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë. Kjo muzikë shfaq të njëjtat tipare strukturore dhe organizimi, ashtu si pjesa më e madhe e muzikës dhe e këngëve qytetare të qyteteve të Shqipërisë Qendrore dhe Veriore. Etnomuzikologjia jonë e ka klasifikuar gjithë zonën muzikore mbi lumin Shkumbin kryesisht si zonë të njëzërëshit muzikor e të formave të tij që shprehen si monodi, monodi me shoqërim apo edhe në homofoni. Muzika e re që pritej të krijohej në Tiranë nuk do të bënte ndryshim në këtë çështje, pra që do të ishte dhe strukturohej në tërësi si muzikë njëzërëshe, ashtu siç është edhe sot. Përtej kësaj, ajo i respektoi tiparet muzikore të zonës përreth, edhe pse tash e tutje do të përcilleshin përmes veglave europiane të temperuara. Me muzikën e Tiranës duket sikur ka ndodhur një shpërthim i madh, është krijuar, por nuk e gjen më në momentin e shpërthimit, por të rrezatuar gjithandej. Është një lëndë shumë e shpërndarë nga ana gjeografike, por që i bashkon një karakter i përbashkët, që është: thjeshtësi në formë, melodi me pak nota, kryesisht diatonike dhe pa ndikime nga të tjerët, kryesisht nga ato orientale, që janë më të provuara dhe të forta në Elbasan, Berat apo Shkodër.
Po nga ana tematike…? Duket se tiranasit pak i kanë kënduar “heroizmës”…
Çuditërisht, ka edhe të tilla. Një pjesë të tyre i kam transkriptuar. Ndoshta nuk kanë shumë jetë, por ekzistojnë. Është një këngë për Ali Pashë Tepelenën, një tjetër për një nga pinjollët më të njohur të Toptanasve, ka dhe të tjera këngë për figura patriotike.. Por shumica dërmuese janë këngë lirike dashurie, prejardhja e drejtpërdrejtë e të cilave është nga këngët e dasmës. Kjo e bën muzikën qytetare tiranase shumë festive, të gëzuar dhe të lidhur ngushtë me muzikën fshatare, të cilat janë transferuar të pastra dhe janë pasuruar nga veglat e temperuara. Për fat, mbledhja e tyre ka nisur që në vitet ’30. Ka mes tyre edhe një grup këngësh, që tiranasit i quajnë ‘këngë rakie’, ‘këngë muhabeti’, që po ashtu janë këngë dashurie, romanca të vogla mes një gruaje dhe një burri, që nuk kanë rrjedhur nga tradita e madhe e këngëve të fshatit, por përmes krijimtarisë individuale të muziktarëve të talentuar, të cilët, përveçse interpretonin këngët e traditës, i shtonin repertorit edhe krijimtari origjinale. Kemi disa syresh të transkriptuara.
Le të kthehemi te ndikimet orientale. Si është e mundur që muzika tiranase nuk është ndikuar prej saj, në një kohë kur ato ndihen në arkitekturë, mënyrë jetese..
Është e mundur. Është e drejtë ajo që thoni që pushtimi osman la gjurmët e veta në arkitekturën e banesës apo objekteve të kultit, por harrojmë që Tirana si qendër urbane dhe nevoja për muzikë qytetare ka lindur vonë. Tirana ka qenë një qendër, kryesisht tregtare, por jo urbane, ndërsa kultura e fshatrave ka qenë e pandikuar, ruhej si në momentet e krijimit dhe këtë ne e provojmë shumë lehtë, pasi kemi të dhëna, se ato shkallët kromatike që i gjejmë në muzikën e Beratit, Elbasanit, këtu nuk ekzistojnë, ose gjenden brenda natyrshmërisë së krijimit të tyre, por jo të ndikuara nga një kulturë tjetër. Pra, shpallja e Tiranës kryeqytet bëri që befas tradita fshatare të bashkohej me instrumentet e temperuara, që erdhën në Tiranë nga mjeshtrit e mëdhenj. Dhe kemi një puqje të veglave të temperuara europiane me kulturën arkaike të fshatit, që lindi muzikën qytetare tiranase, e cila nuk kishte ndikime dhe që ishin shfaqur prej shekujsh në arkitekturë. Pra, është e mundur që muzika e Tiranës të reflektojë këtë origjinalitet, që ka të bëjë me mosndikimin nga një kulturë tjetër dhe ajo është njësoj e pastër, siç është polifonia e Jugut apo Eposi i Kreshnikëve, i cili është pa ndikime të tjera.
Ndoshta ka një keqkuptim të deritanishëm, pasi kur flasim për muzikën e Shqipërisë së Mesme, përfshihet si ajo e Tiranës, edhe ajo e Elbasanit e rrethinave, që qartësisht janë të ndikuara nga muzika orientale…
Kjo është e vërtetë, sepse lidhet me natyrën e pushtimit turk, që ishte një pushtim qytetesh. Vendosej në kalanë e qytetit, ngulte garnizonet, administratën, orkestrën dhe njësitë e tjera që i shërbenin qytetit dhe dalëngadalë, me kalimin e viteve, ndikimi me prezencë bënte të gjeneroheshin variante, që ose vinin prej andej, ose përbashkoheshin prej bashkimit, herë normal, herë të dhunshëm. Duke penguar gjallimin e një kulture të caktuar, të imponohej kultura e tyre. Në rastin e Tiranës nuk e gjejmë një gjë të tillë, sepse nuk kemi një qytet me muzikë të zhvilluar. Mund të ketë pasur muzikë argëtuese, por jo muzikë qytetare me kuptimin e plotë të fjalës, pasi muzika qytetare, në konceptin tonë si studiues, lind në momentin kur hyjnë veglat e temperuara, si klarineta apo violina, kurse pjesa tjetër lidhet me paramuzikën qytetare, që nuk ka dhënë ndikim në deformimin e muzikës origjinale, që gjendet rreth e rrotull. Kjo ndodh edhe sot e kësaj dite. Sado që muzikën e Tiranës përpiqen ta trajtojnë si muzikë tallava apo muzikë orientale, nuk qëndron sepse ajo ka boshtin e vet dhe në këtë ka ndikuar si roli i disa muziktarëve të rëndësishëm, ashtu dhe brezi i këngëtarëve të brezit të pasviteve ’50, që u lidhën edhe me Radio Tiranën.
Nëse muzika e Tiranës nuk u prek asokohe nga këto ndikime, si ruhet sot ajo?
Studimet e mia arrijnë deri në vitet ’90, kur mbyllet edhe një cikël i formësimit të plotë të kësaj muzike, pa bërë analizën e mënyrës sesi ajo interpretohet sot. Përkundrazi. Një nga qëllimet e mia në këtë libër, që do të kisha shumë dëshirë që nesër të pranohej si historia zyrtare e muzikës së Tiranës, është që këto fakte të njihen dhe të ofrohen standardet e interpretimit të kësaj muzike. Duke sjellë edhe një CD me regjistrime muzikore, që nisin që nga viti 1920 deri në 1990, ku gjejmë brezin e artë të interpretuesve. Jo rastësisht kam përfshirë valle instrumentale të interpretuara nga shkodranë, këngë të interpretuara nga këngëtarë të shquar të Tiranës, melodi të interpretuara nga muziktarë të shquar të Jugut dhe të gjitha këto, në mënyrën sesi e kanë parë karakterin e Tiranës në muzikë, shërbejnë si modele interpretimi. Fakti që ky libër vjen në këtë kohë është një mundësi për interpretuesit e kësaj muzike të shohin se si është trajtuar gjuha muzikore në trajtimin e këtyre mjeshtërve, që kanë krijuar profilin e kësaj muzike. CD-ja shoqëruese do t’u shërbejë shumë njerëzve, për t’u afruar drejt origjinalitetit të kësaj muzike dhe pse jo, për të parë se ku kjo muzikë mund të mbartë një interpretim të ri. Brenda 70 vjetëve interpretim vihet re një zgjerim i mënyrës së interpretimit, si në rastin e Merita Halilit, e cila edhe pse mbështetet në interpretimin e Fitnete Rexhës, ka sjellë origjinalitetin e vet.
Përtej kësaj CD-je, a ekzistojnë të regjistruara këto këngë në fonotekat tona?
Në përgjithësi janë. Mund të ketë pasur mungesa për vitet ’20-’40 dhe në njëfarë mënyre libri jep një kontribut sepse evidenton interpretime nga Paulin Pali, tri grupeve që nuk janë përmendur kurrë në muzikën popullore të Tiranës, siç janë këngëtaret Tixhja dhe Sofia, që kanë vendin e tyre në CD, është grupi “Rukija me gocat”, që këndojnë muzikë origjinale tiranase, këngë dasme, me atë natyrshmërinë e tyre, apo siç ka qenë shoqëria muzikore e Daut Prezës nga Preza, i cili ka regjistruar mbi 45 disqe në vitet ’35-40 dhe kanë qenë jashtë qarkullimit muzikor të sotëm. Sjellja e tyre është një kontribut në historinë e muzikës tiranase, ndërsa pjesa tjetër lidhet me interpretimet e Fitnete Rexhës, e cila u lidh me Radio Tiranën, jo vetëm për hir të aftësive të veta, por edhe për një popullarizim të kësaj muzike për regjistrime të reja; për të vazhduar me Hafsa Zyberin, Xhavit Xhepën, Safete Toskën, Drita Papajanin etj./panorama