Sergej Esenin: Jam i lodhur si kurrë prej dhimbjes…

sergej esenin tanjusha...

Poezi nga Sergej Esenin

Jam i lodhur si kurrë prej dhimbjes,
Dhe tani në thellim e kallkan
M’u fanit ai qielli i vendlindjes
Tok me jetën e çmendur që kam.

Shumë gra dashurinë ma dhanë,
Po dhe unë u zhurita për to.
Për këtë të paudhët më nganë,
Më mësuan të pi domosdo…

Mbrëmje pijesh me njerëz të ndytë
Dhe mes pijesh-zullume dhe ankth!
Vallë kjo m’i ka zbutur dhe sytë
Si një fletëz e kthyer mëndafsh?

Dhimbje s’kam dhe kur ndahem nga gratë,
Dhe fitorja gëzim nuk më sjell,-
Ngjyrë e flokut prej bari të thatë
Më ka mbetur si ndryshku në tel.

Ngjyrë e flokut m’u kthye në lerë,
Lerë vjeshte me qime dhe dej…
S’më vjen keq për një kohë e njëherë,-
Ato vite as dua t’i kthej.

Unë u lodha me veten në jetë,
Buzëqeshja vërtet m’u mërzit,
Trupi im e do dritën e lehtë,
Si një dritë mehiti pa shpirt.

Dhe tani s’ia përtoj për të hyrë
Nga mejhania në shpellë e në hon,-
Nuk e kemi për gjë dhe natyrën
Ta këmbejmë me hekurbeton.

Po dhe unë atë kam në mendje:
Forcë e egër venitet e vdes…
Përsëri i nderoj ato vende,
Ku kam puthur dy sy një mëngjes,

Ku këndoja e rrija pas kaçkës,
Ku vrapoja në bar e në stan…
I dërgoj përshëndetje laraskës
Dhe hutinit të natës tek qan.

Sokëllij që nga bota me halle:
“Zogj të dashur, në kaçkë e në bli,
Jepni lajmin se s’bëj më skandale,
Le të fryjë mbi thekër puhi…”


Shqipëroi: Dritëro Agolli

ObserverKult


Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: S’TË KAM HARRUAR, JO E DASHUR!