Poezi nga Pano Taçi
Kërkoj veten që s’e kam.
A ma pa njeri?
Dua të di cili jam
me kaq plagë në gji.
Kërkoj veten, bëj ta gjej
Thomëni, kush ma pa?
Dhe n’e gjej, me dhëmbë e brrej.
Brengat mua m’i la.
Kërkoj veten ku më humbi,
në ç’udhë pa krye?
Pa veten do më marrë lumi
Pa veten jam hije.
ObserverKult
———————-
LEXO EDHE: DASH KALOÇI: POEZIA-AMANET E PANO TAÇIT, MË THA ‘BOTOJE DITËN QË UNË DO VDES’
Gazetari Dash Kaloçi rrëfen bisedat me poetin bohem, që jetoi e vdiq i vetmuar
Nga: Fatmira Nikolli
Tregojnë për një burrë që endej e sillej nëpër Tiranë, sa në një kafe në tjetrën, me një gotë përpara e një laps në dorë, që ulej e shkruante vargje pa drojë. Tregojnë për një burrë që i donte gratë, i admironte gratë, i joshte gratë dhe fliste për gratë e shkruante për gratë dhe u përulej grave.
Tregojnë për një burrë bohem, të pazakontë, të çiltër, të qeshur, hokatar. Tregojnë për një burrë që dinte të ishte dashnor e i dashur i zemrës, që nuk njihte kufij as në jetë, as në poezi.
Një burrë si ai, borgjezi i pandreqshëm, sfidanti tragjik, që i përqeshte të gjithë e i donte të tërë, që regjimi e la në burgje e vëllezërit pa shtëpi, që i shkoi kohët e lirisë ‘duke qarë vitet e humbura’ e duke shkruar për çfarë nuk i pati.
Ai burrë romanësh e filmash, që duket se është nxjerrë forcërisht prej tyre për ta plasur në një Tiranë pa ngjyrë, pa jetë, pa dritë, pa ëndrra, me frikë, me presion, me pushtete, me dënime, me korrupsion e kontrabandë, ai burrë që kurrë nuk u mposht, as nuk u josh nga pushtetet e lëbyrjet, ai burrë qe mes nesh, e iku në heshtje, por la gjurmët e pashlyeshme. Kam dëgjuar rrëfenja për të, kam lexuar vargjet e tij…