Ministria e Kulturës ka ndarë shpërblimet vjetore për teatër ku çmimi për vepër jetësorë iu nda aktorit të teatrit Luan Daka, shfaqja më e mirë u vlerësua ajo e regjisores Drita Begolli, çmimi vjetor për regjinë më të mirë iu dha regjisores Elmaze Nura,për aktorën më të mirë çmimin e mori Ardiana Morina dhe për prezantim më të mirë jashtë vendit që iu jep produksioneve çmimin e mori “Qendra Multimedia”.
Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, që u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e teatrit, për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e teatrit, në mënyrë unanime iu nda aktorit dhe regjisorit Luan Daka. Ky çmim iu nda atij duke u bazuar në kreativitetin e thellë, inovacionin dhe origjinalitetin që ai përfaqëson në fushën e artit dramatik, si në teatër, film, televizion dhe radio.
Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, që ndahet për shfaqjen që ka treguar sukses të jashtëzakonshëm për nga vlerat, profesionalizmi, shikueshmëria dhe suksesi në prezantimin kombëtar gjatë vitit paraprak, me tri vota pro dhe dy kundër iu nda shfaqjes “ERVEHEJA” e regjisores Drita Begolli, me arsyetimin se kjo shfaqje është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon me realitetin e të gjitha kohërave. Shfaqja ka koncept, thellësi, guxim dhe art të nivelit të lartë.
Çmimi vjetor për regjinë më të mirë, që ndahet për regjinë kreative, inovative dhe origjinale, në mënyrë unanime iu nda regjisores Elmaze Nura për shfaqjen “KOPRRACI”. Këtë çmim juria e ka ndarë duke u bazuar në nivelin e lartë artistik, kreativitetin e thellë, inovacionin teatror, përkushtimin profesional dhe mjeshtërinë e lartë regjisoriale. Suksesi i jashtëzakonshëm i kësaj shfaqjeje si në rrafshin ndërkombëtar dhe atë vendor është arritur kryekëput në saje të regjisë së Nurës, e cila këtë art të sentencës e sjellë në mënyrë origjinale, të pëlqyeshme dhe me vlera të reja estetike. Me shfaqjen “KOPRRACI” Kosova është përfaqësuar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, duke marrë edhe shpërblim për regjinë më të mirë.
Çmimi vjetor për aktorin/aktoren më të mirë, që i ndahet aktorit/aktores që ka pasur performancë të shkëlqyeshme në një rol ose disa role teatrore, me shumicë votash, iu nda aktorit Adrian Morina për rolin në shfaqjen “Unë jam vetë grua”.
Me shfaqjen “Unë jam vetë grua” Adrian Morina ka sjellë në skenë rrëfimin e shkëlqyer të transgjinorit dhe përmes karakterit të tij ka sjellë një rol të kompletuar
Çmimi vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar, që u jepet produksioneve teatrore, regjisorit, aktorit, dramaturgut, skenografit apo krijuesit për performancën dhe suksesin në prezantimin ndërkombëtar, në mënyrë unanime iu nda organizatës kulturore “Qendra Multimedia”, e cila realizoi disa prezantime ndërkombëtare në festivale prestigjioze dhe në të njëjtën kohë ka bërë edhe prezantimin e Kosovës në fushën e teatrit.