Ministrja e Kulturës e Shqipëisë, Elva Margariti deklaroi se Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit përveç financimit nga buxheti i shtetit, të mund të gjenerojnë vetë para nga shitja e biletave, përdorimi i ambienteve me qira etj.
E pyetur në një intervistë televizive nëse do të privatizohet TKOBAP, ajo tha se kjo nuk do të ndodhë. “Ajo që ne synojmë është që institucione kombëtare të një rëndësie kaq të madhe sa TKOBAP, përveç financimit nga buxheti i shtetit, të mund të gjenerojnë vetë para nga shitja e biletave, përdorimi i ambienteve me qira etj. Para këto, që do të shkojnë në arkën e institucionit për rritjen e nivelit artistik, për më shumë shfaqje dinjitoze, për realizimin e skenografive e kostumeve dhe angazhimin e sa më shumë talenteve të reja”, u shpreh Margariti.
“Teatri ka treguar që ka mundësi të performojë mirë në standarde të larta dhe ka mundësi që të gjenerojë dhe më shumë të ardhura. Këtë e ka treguar edhe në këto 3 vite të vështira, që kanë qenë vite pa një shtëpi të vetën, pa një sallë që tashmë teatri e ka në standarde të tilla. Megjithatë kanë kryer shumë më tepër performanca. Performancat kanë qenë gjithmonë në rritje”, tha Margariti.
“Tashmë teatri ka një investim total nga buxheti i shtetit, i cili do t’u krijojë atyre mundësinë që t’u gjenerojë më shumë të ardhura. Por çfarë ndodh me ligjet ekonomike fiskale të vendit është që të gjitha institucionet tona një pjesë të të ardhurve e mbajnë në arkën e tyre, pjesën tjetër e hedhin në buxhetin e shtetit. Përjashtim bën Butrinti. Ideja jonë është që në disa institucione këto të ardhura t’i mbajmë vet përsa kohë ne arrijmë të demonstrojmë që me këto të ardhura ne do të ngremë numrin e shfaqjeve, numrin e vizitorëve. Pra do të ngremë standardin e shfaqjeve dhe pse jo ajo që kemi primare është që të kemi sa më shumë artistë që afrohen. Organika është e tillë e ngurtë, të cilën nuk e lejon buxheti i shtetit që të punësojmë më shumë artistë. Por nëse do ta bënim një skemë të tillë do të krijonim një vetëqëndrueshmëri”, u shpreh Margariti.
“Ajo çfarë kemi folur tjetër është që ne duhet t’i krijojmë një aspekt edhe sponsorëve, të cilët jo vetëm të sponsorizojnë për të pasur logon e tyre, pra të krijojnë karta mbështetëse, “Miqtë e Teatrit”. Si në gjithë botën kur një sponsor i madh vjen dhe mbështet teatrin që në fillim të vitit ka mundësi që të frekuentojë premiera të ndryshme, pra sipas vlerës së sponsorizimit të krijohet një raport tjetër”, tha Margariti.
Ajo u shpreh se, “aktualisht 30% e të ardhurave ngel në kasën e teatrit, por kjo nuk arrin të mbulojë shpenzimet. Nga biletat vetëm 14% e arkës së madhe të TKOBAP janë të ardhurat nga biletat, 86% vjen nga buxheti i shtetit. Ajo që ne duam është që këtë balancë ta ndryshojmë”.
“Pra të fillojmë të kemi sa më shumë mundësi, jo vetëm nga të ardhurat, por dhe nga qiratë e ambienteve. Kemi ambiente të shtuara në dispozicion të komunitetit. Kemi holle, kemi salla qëndrimi, kemi biblioteka. Të gjitha janë hapësira që nëse mirëshfrytëzohen, edhe në një paketë të mirë tarifash për t’i vënë në dispozicion, mund të shërbejnë si një burim financiar”, theksoi Margariti./ATSH