I jepet lamtumira e fundit regjisorit të njohur, Gjergj Vlashit

I është dhënë lamtumira e fundit nga artistët dhe qytetarët durrsakë regjisorit edhe përkthyesit Gjergj Vlashi. Regjisori u shua në moshën 92-vjeçare, ndërsa ishte themelues i varietesë në Estradën e Durrësit dhe përkthyesi i Franc Kafkës.

Në hollin e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, artistët, familjarët, miqtë, kolegët e një jete i dhanë dje lamtumirën e fundit Gjergj Vlashit. Përkthyesi, skenaristi edhe regjisori i njohur, që jetën e tij ia dedikoi artit në vend, Gjergj Vlashi u nda nga jeta fizikisht në moshën 92-vjeçare, para katër ditësh. Ndërsa, artistët shprehin vlerësimet e tyre familjarëve, duke e cilësuar një ndër tre figurat e rëndësishme poliedrike, që qyteti i Durrësit ka pas, përkrah Vangjel Toçit dhe Moikom Zeqos. Ali Bega dhe Haxhi Rama, teksa e quajnë humbje të madhe për kulturën, shprehen se vështirësia më e madhe është që këta artistë do të jetë e vështirë që të zëvendësohen.

“Gjergj Vlashi është ndër ata njerëz, që gjatë gjithë jetës së tij, kudo në jetë ka merituar notën dhjetë. Ka qenë regjisor i shkëlqyer, përkthyes shumë i mirë, zbulues i talenteve në artin tonë dhe skenarist. Mund ta përfshijë tek korifenjtë e kulturës në qytetin tonë, bashkë me Vangjel Toçin, Moikom Zeqon”, shprehet regjisori Haxhi Rama.

“Gjergji nuk mbetet vetëm një regjisor i talentuar, që i dha profilin, teatrit të estradës në Durrës, edhe të të gjithë estradës në Shqipëri. Mbetet një personalitet i rrallë, edhe të vjen keq që kjo kast po rrallohet, edhe për fat të keq zëvendësuesit janë shumë të rrallë”, thotë aktori Ali Bega.

Poeti Bardhyl Agasi, e cilëson si një ndër artistët që ka ndihmuar këdo me bibliotekën e tij, por edhe ka bërë të qeshin gjithë shqiptarët përmes skeçeve që ka realizuar.

“Ç’të thush për Gjergjin, një figurë nga i cili kanë përfituar të gjithë artistët në Shqipëri. Të gjithë kemi shkuar në shtëpinë e tij për të marrë libra në bibliotekën e Gjergj Vlashit. S’ka lënë estradë në Shqipëri, pa vënë dorë me skeçet e tij janë brilante”, shprehet Agasi. 

Gjergj Vlashi për kontributin e tij si regjisor profesionist, i cili ka themeluar varietenë në Estradën e Durrësit, por edhe përkthyes i 45 veprave letrare është vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Popullit”, “Mjeshtër i Madh”, si dhe me urdhrin “Nderi i Kombit”./shqiparja.com