Hose Agustin Gojtisolo: Në u takofshim përsëri…


Duhet të të rrëfehem qysh sot,
se nesër mund të jetë vonë.
Me thënë të drejtën,
jam dhe më i keq nga ç’pandehin të tjerët.
Së pari, çfarëdo që të them,
gjithnjë pula e tjetrit të duket më e majme.
Së dyti, mund të më mërzisë një këmishë krejt e re.
I kam këto.
Së treti, i adhuroj funeralet
dhe mbrëmjet poetike s’i duroj dot.
Po më zuri gjumi, nuk më zgjon as me top.
E kam bindje të patundur, gjithashtu.
se mobiliet duhet të rrinë
në të njëjtin vend
të paktën njëmijë vjet.
Dhe ç’është më kryesorja,
ndonëse tinës
furçën tënde të dhëmbëve mund ta përdor,
nuk dua assesi që ta prekësh krehrin tim.
Jam i shëndoshë si dem
e megjithatë, përçast vdes nga frika.
I zgjidh thjesht problemet e botës,
ndërsa mund të vij vërdallë e ta humb pusullën
për një çështje timen vetjake.

Mbase vetëm varri do të më ndreqë.
«Zot na ruaj»,  thotë populli për njerëz si puna ime,
në mos po doktori zbulon
ndonjë depresion
të formës klasike.

Prandaj,
në u takofshim përsëri,
mos më merr tepër seriozisht,
mirë?