Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Skënder Rusi.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Lumturia e përkyer është një dorë e shtirë drejt teje, që ti nuk e takon dot. Të lë vetëm iluzionin që dikur, t’u dha mundësia të shpresoje verbërisht.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Natyrisht që vdekja dhe momenti kur unë jam bosh.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Visar Zhiti, një mik i vjetër dhe një shpirt që vuajtja nuk ia heq dot fisnikërinë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-“Sy për sy, dhëmb për dhëmb, herët a vonë na bën të gjithëve të verbër”, kjo filozofi e paqes nga Mahatma Gandit gjithmonë ka jehonën e saj tek përjetimi im si njeri që nuk e urren dot as armikun e tij.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Besimi i tepruar, tek njerëzit, bota, jeta.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Mosmirënjohja.
Në cilat gjëra e teproni?
-Unë jap dashuri më shumë sesa më kthehet.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-S’e konceptoj dot.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Korçë- Egjipt, nga “Lëndina e lotëve”, te Piramidat e Keopsit.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra…
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Më ka ardhur keq që nuk e pengova dot ikjen e Ilir Belliut, këtij poeti brilant me shpirt të qelqtë.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Rënia në dashuri me poezinë.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-I kthjellët dhe pakëz i çmendur!
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Respektin që kam pasur dikur për njerëz që nuk e meritonin.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Arritja më e madhe është që poezia ime di të hyjë te njerëzit, sidomos tek të thjeshtit.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Asgjë, mua më pëlqen jeta që kam bërë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Bli. Nën hijen e të cilit na pëlqen të ecim.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Liria.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Kur nuk kam më ç’t’i them kësaj bote.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Më pëlqen që gjithë ekzistenca ime të jetë në Korçë, ku rrugët nuk janë të shtruara me gurë, por me puthje.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Sinqeriteti.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Mençurinë dhe forcën.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Delikatesën.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Dritëro Agolli.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Të pazëshmit, të thjeshtët, që nuk bien në sy por e bëjnë këtë botë më të mirë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Këtë që kam, poezinë.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Duke shkruar vjersha.
Cila është motoja juaj?
-Puno dhe ripuno./ ObserverKult