
Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Uran Krasniqi:
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Lumturia vetëm si lumturi është një vetëtimë e shkurtër e lëre më kur i shtohet edhe cilësori “e përkryer”. Nuk kam ide për gjërat që nuk ekzistojnë.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Pyetje që mund t’i përgjigjesh nga disa drejtime, por seç më duket se synimi kryesor është ta bëjë personin të flas nga këndvështrimi i ekzistencës, duke kërkuar një prononcim më të thellë për botën se sa deklarimet për preokupimet e përditshmërisë. Si njerëz nuk e dimë si erdhëm këtu ku jemi, pra në këtë botë, por ardhja jonë i ka paraprirë vetëdijës. Pra ne njëherë ishim dhe pastaj e kuptuam ku jemi. Ndërsa tash që jemi të vetëdijshëm nuk e dimë se ku do të shkojmë, pra vetëdija i paraprin shkuarjes. Pra ne e dimë se do të shkojmë diku po nuk e dimë se ku. Këtë vetëdije para shkuarjes pa e ditur se ku e ndjej frikën më të madhe.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Janë më shumë se një, dy, tre…. I admiroj të gjithë ata shqiptarë të Kosovës, të cilët u angazhuan me laps e me pushkë që Kosova të çlirohet nga Serbia dhe që sot për fat janë gjallë. Ishte barrë e rëndë që historia ua kishte ngarkuar mbi shpinë. Ç’shpinë e vogël për atë vagon me hekur! Po ata e çuan deri në breg.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Janë më shumë se sa një, dy e tre dhe ka nga tanët e nga të huajt, por te unë vend të veçantë zënë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë dhe Ismail Kadare. Janë përfaqësuesit më të denjë të shqiptarit ideal në sytë e një të huaji dhe çka mangut e lë njëri e plotëson tjetri: Skënderbeu për guximin, Nëna Terezë për njerëzoren e Kadare për kulturën.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Besimi te njerëzit e vegjël.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Mungesa e dhembshurisë.
Në cilat gjëra e teproni?
-Në përsëritjen e gabimeve. Po nuk shqetësohem, sepse edhe ajo është një shkollë.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Jam gënjyer shumë sa që më duket se jetoj në hapësirë të pavërtetë, megjithatë, në rastin kur gënjeshtra ime do ta zgjaste jetën e dikujt që është në rrezik, atëherë nuk do ta kisha problem të njihesha edhe si gënjeshtari më i madh në historinë e njerëzimit. Në rrethana të tjera nuk njihem si gënjeshtar, dhe më vjen mirë që s’kam frikë nga e vërteta.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
– Rruga për vendlindje. Si i vogël, kur ktheheshim nga dajtë, më të mëdhenjtë na thoshin: tash shkojmë më shpejt, se të ngreh vendi. Nga atëherë, saherë që shkoj në fshatin ku u linda, më kujtohet kjo fjalë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Do të thotë.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Nuk kam bërë asnjëherë diçka sa që të mos më marrë gjumi.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Familja.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Nuk më duket që kam ndonjë problem, por ndoshta psikologu nuk do të pajtohej me mua.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Asgjë.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Të qenit baba.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Kohën e lindjes. Do të doja të kisha lindur atëherë kur Malisheva do të kishte klub të futbollit dhe stadium.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Prapë si njeri dhe si vazhdim i vetes me të njëjtin emër e mbiemër, pra nga pika ku isha ndalur. Për ta botën prapë, të afërmit, Kosovën dhe Shqipërinë në Botërorin e futbollit…
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Po të më ishte bërë kjo pyetje para dhjetë viteve do të isha menduar shumë për përgjigjen. Sot nuk e kam asnjë dyshim: koha. E meta e kësaj bote me plot vendshitje të shumë gjërave dhe nuk e ke një dyqan që shet kohë. Pra ku ti e merr kohën që të humbi. Por ndoshta neve, vdektarëve të zakonshëm, nuk do të na vinte radha për të hyrë në radhë për të blerë kohë.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Në politikë, që është maja e shoqërisë, sepse nga aty rrjedh çdo gjë poshtë, më duket mjerim i madh dorëzimi i vetes te tjetri, te lideri, vetëm për arsye karrieriste. Shndërrimi i vetes në robot të telekomanduar për interes të partisë. Partitë janë grupe interesi, por shteti është interes i të gjitha partive, dhe kësisoji në rastet kur interesi i shtetit të kërkon dhe ti anon nga interesi i partisë, kjo është e pafalshme. Jemi duke jetuar në kohë të turbullt globale, ku e nesërmja mund të jetë ndryshe nga e sotmja, pasi rrethanat politike ndërkombëtare mund të jenë krejt të tjera. Kësisoji, nuk përjashtohet rasti për vizita të ideologjive, që bota i ka vlerësuar të pakthyeshme, e nga të cilat kemi parë ekzekutime pa gjyq, burgje, internime… Dhe të pasurit në shoqëri këso anëtarë të partive, që gjithmonë e gjejnë gabimin vetëm tek tjetri e asnjëherë te vetja dhe te partia që i përket, këtu bëhet fjalë për potencial të rrezikshëm.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Duke qenë i izoluar në Kosovë për disa vite, për shkak të regjimit të vizave, gjithmonë e kisha një kurreshtje: a thua si është diku tjetër? Kur hipa në aeroplan, nga lart pashë të njëtat male të Evropës si të Kosovës, të njëjtat fusha të Evropës si të Kosovës, të njëjtit lumenj të Evropës si të Kosovës … Nuk e kam menduar një vend të veçantë për atë se ku do të dëshiroja të jetoja, por kudo në botë, sepse mendoj që për njeriun askund nuk ka dhe të huaj. Te unë vendet fitojnë peshë vetëm me njeriun. Edhe tek rrokaqiejt në New York të shkosh vetëm nuk është ndonjë gjë. E të shkosh në Sahara me një njeri që të pëlqen dhe e do, atëherë një kokërr rërë mund të jetë subjekti më i mirë i bisedës.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-E kam problem ta them për vete. Shokët që i kam më vlerësojnë për zemërgjerësinë, idealizmin e humorin.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
-Maturinë.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
-Mençurinë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Nuk është vetëm një.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Babai, që për çlirimin e Kosovës, me një energji të një sportisti të parealizuar, vrapoi sa nga grupet ilegale të parullave aq te KMDLNJ, sa te LDK aq te UÇK, duke pasur si mjete pune në dorë si lapsin e si pushkën. Dhe nënën, që nuk e ka shigjetuar babain asnjëherë pse atë dhe fëmijët e saj i ka pasur në plan të dytë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Asnjë pos atyre që kisha. E kisha talentin për futboll po jo edhe fatin: isha lindur në kohë të gabuar. Tjetër talent as që më duhet. Po, do të doja të dija diçka: vallëzimi. Kur ka ndeja shoqërore e kolegiale dhe shoh ata që dine të vallëzojnë e shijojnë më shumë momentin e mua më duhet të skajohem diku e të pyes veten: pse nuk di të vallëzoj? Por pastaj nuk është keq as për mua, sepse ajo është një rrethanë kur në mua lind ndonjë poezi.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Ashtu siç u linda, vetëm se tash me një dallim: andej… kufirit duke më pritur prindërit e mi, dhe duke më marrë përdore si këtej. Do të ishte vdekja më e lehtë e mundshme dhe të cilën, po të ishte e mundshme, do ta nënshkruaja në çdo moment.
–Cila është motoja juaj?
Nuk kam.
ObserverKult
———–
Lexo edhe:






