
Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet poetja Brikena Qama:
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
E vërteta është se nuk e di nëse ekziston një njësi matëse për lumturinë në mënyrë që të përcaktosh më pas se cila është ajo e përkryera. Po ashtu, nuk e di nëse deri më sot kam jetuar çaste të cilat i vijnë për shtat këtij termi. Di të them se më bëjnë të buzëqesh e kënaqur teksa kujtoj disa sekuenca të fëmijërisë sime, disa të tjera që kanë të bëjnë me arritje personale përgjatë viteve më pas, kështu mendoj se këto i identifikoj si çaste të lumtura.
Sot, tashmë e rritur, vlerësoj ndryshe çdo ditë e ngjarje të jetës, mendoj se lumturi quaj edhe ardhjen e vjeshtës.
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika ime më e madhe është pamundësia për të ndryshuar rrethana të trishta. E frikshme është të ndjerit i paaftë, i pavlerë, i papeshë, i padenjë për rrugëtimin në këtë planet, në segmentin kohor prej lindjes deri në ndarjen nga jeta. Të mos mundësh të jesh hallkë e zinxhirit të ndryshimeve epokale, të vegjetosh duke frymëmarrë pa lënë shenjën tënde, të zgjohesh çdo mëngjes pa patur një motiv.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Do mund të përmendja disa emra, por e vërteta është se me kohë kam kuptuar që shprehja e admirimit kundrejt një a më shumë individëve përbën një kotësi, përderisa kriteret përzgjedhëse janë të paqëndrueshme dhe të rinovueshme. E vërtetuar tashmë se idhujt krijohen, admirohen, rrëzohen, zëvendësohen fare thjesht, mendoj se gjithkush që i përket kësaj kategorie përgjatë një periudhe të caktuar, është në një provë të vazdueshme deri në fundin e jetës së tij/saj.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Mbretëresha Teutë dhe Nënë Tereza.
Këto do përmendja si dy figurat me të cilat do doja të identifikohesha. Dy gra që kanë jetuar në epoka të ndryshme dhe që secilën prej tyre i konsideroj stacione referimi për sa i përket shpalosjes së temperamentit luftarak, këmbëngulës e bujar, jo vetëm të gruas shqiptare, por dhe të genit shqiptar në përgjithësi.
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Tipari që nuk pëlqej tek vetja është këndvështrimi bardh e zi që shpesh më sjell andralla. Do doja të mundja të ravijëzoj me nuanca përditshmërinë time dhe mënyrën e të parit të situatave të ndryshme, duke përmirësuar kështu marrëdhënien që kam me të drejtën dhe të vërtetën time përballë të drejtës dhe të vërtetës së tjetrit, pa humbur atë që unë e quaj dhunti tek vetja dhe që ka të bëjë me aktivizimin e prakticitetetit. Diçka, ose bën, ose jo, ose vlen, ose jo.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Shtirjen dhe servilizmin!
Të bërit gjasme!
Nuk është se nuk e pëlqej thjesht, nuk e duroj dot. Njerëzit që shtiren dhe servilët i konsideroj të paaftë për të mbrojtur çfarëdolloj teze a kauze, njerëz pa fantazi, pa forcë mendimi, që fare thjesht të shesin e të blejnë sipas nevojës së tyre duke u jargosur para teje.
Përpiqem të mos kem pranë njerëz të tillë pasi shtirjen dhe servilizmin i konsideroj si të keqija ngjitëse.
Në cilat gjëra e teproni?
Në vënien në vend të së drejtës. Nuk e konsideroj si diçka minus tek vetja edhe pse do doja të kisha një limit për sa i përket përpjekjes së vazhdueshme duke mos harxhuar kështu kohë dhe energji për të bindur edhe më kokëtulin se e drejta, është kjo.
Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
E kam kapur veten të gënjej për llogari të dikujt tjetër, për të shmangur vënien në pozitë të vështirë të tij. Vetë unë nuk kam marrëdhënie të mira me gënjeshtrën. Nëse duhet të gënjej, më mirë zgjedh të mos flas. Gënjeshtra shkakton stres pasi të fut në një qerthull gënjeshtrash të përshkallëzuara për të mbrojtur budallallëkun që nuk dite ta shmangësh, thjesht duke thënë të vërtetën që në fillim.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Vendlindja. Është ajo qytezë e vendosur në luginën e Osumit, mes kanioneve dhe malit të Tomorit, me aromën e mahnitshme të çajit, rigonit e trëndelinës. Vendi që ka gdhendur në gurë mermeri mite e legjenda, që ujit me ujin gëlqeror të akullnajave mikpritjen, bujarinë e pastërtinë e njerëzve të atyshëm dhe që më së shumti më udhëton në një kohë të praruar, në kohën kur si fëmijë zbrisja e ngjitja shkallët e gurta të qytezës që e quaja planetin tim.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më shpesh?
Me idiotin, as luftë, as dialog, i ke të humbura!
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Shkruaj e fshi, kjo përgjigje. Përfundimi është i njëjti. Jam kjo që jam, sepse edhe jam ndjerë keq disa herë, edhe jam penduar po aq të tjera. Do doja t’i kisha bërë disa gjëra ndryshe, por ajo që do zgjidhja si më kryesoren, është ngadalësimi ritmit të vrapit në një rrugëtim në fund të të cilit nuk të pret asnjë trofe.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja. Ajo është që të mëson dashurinë, ta fal pa kushte, të udhëzon si ta pranosh, dhurosh, përdorësh dashurinë dhe gjithë kjo nuk ka se ku kthehet tjetër përveçse po aty.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Gjendja mendore e një njeriu është e lidhur drejtpërdrejt dhe ndikohet nga koha në të cilën jeton. Fatkeqësisht jetoj në një kohë ku në ekrane të çfarëdolloj përmasash shoh live trajektoren, distancën, mënyrën se si shpërthen predha në momentin që prek tokën. Ndjek dhunime, përdhunime, vrasje të rindërtuara e të inskenuara për të qenë sa më e qartë se kur, ku dhe si ndodhi mënxyra. Varka me njerëz që fundosen deteve, pasiguri ekonomike deri në skamje për të shumtët, e pasuri marramendëse për fare të paktët. Skandale pa fund, njerëz të kthyer në robot e skllevër të punës, pa asnjë përfitim monetar dhe asnjë kënaqësi shpirtërore në fund të ditës. Shfrenime e abuzime në ushqyrje, alkool, narkotikë, e plot, e plot të tjera.
Gjendja ime mendore është një pllakë tektonike e paqëndrueshme.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do doja të ndryshoj paksa të qenit tepër e ndjeshme pasi mendoj se shpesh ndjeshmëria emocionale keqpërdoret dhe shfrytëzohet për keq nga të tjerët.
Cilën konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Arritjen time më të madhe konsideroj të qenit vetvetja në çdo rrethanë, zgjedhje, bashkëpunim, dialog, debat. Kam arritur në këtë përfundim për arsyen se miqtë, bashkëpunëtorët, kolegët, familjarët, kur shprehin respektin e tyre ndaj meje, bazohen pikërisht në këtë veçori.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do të kaloja më tepër kohë me njerëzit e dashur që sot nuk janë më në jetë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
E vërteta është se nuk do doja të kthehesha. Nëse kjo do të ishte e pashmangshme, do doja të kthehem po e njëjta. Ndoshta një rast i dytë, jo për t’i bërë gjërat ndryshe, por për t’i shijuar ndryshe.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Nuk posedoj pothuajse asgjë që konsiderohet si e shtrenjtë për nga vlera monetare.
Konsideroj shoqërinë e ngushtë timen si një nga gjërat më të çmuara.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të jesh prind e të gjendesh në rrethanën e të ndjerit i paaftë të ndihmosh fëmijën tënd.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Do dëshiroja të rikthehesha në qytetin ku kam lindur e jam rritur. Nëse do të ishte e pamundur kjo, do të më joshte tepër ideja e të jetuarit në një fshat diku në Angli ose Skoci.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Mendoj se njeriu mund të identifikojë të metat e veta, por jo dhe aq një cilësi të veçantë, thënë këtë në kontekstin pozitiv. Nuk mendoj se kam një cilësi që më bën të veçoj nga të tjerë, as për nga fiziku e pamja, as për nga karakteri. Kjo pyetje ndoshta do të qe me vend t’i drejtohet dikujt duke iu referuar një personi të tretë.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Fjalën, bujarinë dhe humorin.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Dhembshurinë dhe forcën.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Erih Maria Remark.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Heronj në kohë mbijetese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prindërit e mi.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Do dëshiroja shumë të mundja të krijoja karikatura.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Pasi të jem ngopur me jetë do dëshiroja shumë të gjeja forcë e të vendosja vetë largimin. Mënyrën e gjej rrugës.
Cila është motoja juaj?
Qeshni se s’ka kohë!
ObserverKult
lexo edhe:
Cikël poetik nga Brikena Qama: Përtej vrimës së çelësit…






