Plasari kujton Preng Doçin: Përse historiografia zyrtare nuk e ka dashur këtë burrë…

Aurel Plasari

Shkrimtari dhe përkthyesi Aurel Plasari ka ndarë në rrjetin e tij social një fragment kujtimesh nga albanologja Edith Durham për Abatin Preng Doçi duke na tërhequr vëmendjen e mungesës së kujtesës, si dhe harresën totale nga historianët e sotëm, kur rrallë del në dritë kontributi i tij.

I shkolluar në Shkodër e në Romë, përveç kontributit të spikatur në jetën fetare të vendit, imzot Preng Doçi luajti një rol të rëndësishëm edhe në jetën shoqërore.

Në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe. Veprat e tij janë “Shqipëria nën zgjedhën turke” dhe “Shqipëria në robni”.

“Në fushën e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme.

Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus – qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi ai. Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës.

Më 1911 – 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanlinjve, transmeton ‘standard.al’.

Pa e prekur kurrë misionin e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit dhe të ngjarjeve të mëdha politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë së Rilindjes në Shqipëri ”, shkruan Vatican News në një artikull kushtuar Abatit të njohur.