Poezi nga Enver Gjerqeku
1.
Dashuri e lashtë, që n’një çast me ne
Linde kur pamë dritën dhe n’jetë na bekove,
Ndër furtuna t’egra pastaj na lëshove
Si mërkatarë të mëdhenj me dy grushta dhe,
Ditëve ua dhamë atë ngjyrë t’dhembjes sate
E ndër kohë ylberat flakruan n’bebzat tona.
Mbi atë shpresën tënde derdhi lot lëhona,
Kur në vend të foshnjes dorën shkurt ia zgjate!
Rruga jot’e gjatë sa qerpik rrah syri:
Kur e mbyll je pranë, kur e çel ke tretur.
(Veç një shpuz’ e jote n’dorë na paska mbetur).
Ja kjo loja jote në një rreth na ndryri,
Prej kah s’dimë të dalim, se s’ta njohim derën;
N’dimër presim verën, në vjeshtë paraverën!
2.
Dritë e rrugës sonë, pse ndoj herë n’mugtirë
Syrin tim ma mb’shtjell? N’vend të një pranvere
Tash acar më ndjell! Gjuha e një ere
Shqim lpin ballin tim. Por, ja, s’kërkoj mëshirë!
O sa e çuditshme je ti ndjenjë fisnike!
Botës i ke dhënë farfuri përrallore!
Kur na ngreh për hunde dhe na rrok për dore,
Çdo gjë është e jona-gruaja më besnike.
Dhembjen ta kem borxh-gazin për stoli,
Sëmundjet që s’kanë bar-shirat n’verë të ngrirë!
N’duart tua zjarrin për ujë ta kem pirë!
Kush do t’shkojë me ty, do t’humbë në kaltri.
Të një bote tjetër, që ndjejmë as erën
Ti shpesh na thanë gojën , për ty sytë na shterren…
3.
Ku mund të t’strehoj, o enigmë njerëzore,
Asnjëherë pa ty s’ecëm në këtë jetë.
Nuk dimë a qe përrallë, o qe e vërtetë,
Por, ja, vetullat tona plot me fjolla bore.
Kohën do ta ngjeshim n’grushtat tanë të tharë
E atë gjurmën tënde si peng do ta mbajmë…
Thua veç pikllimin sëbashku do ta ndajmë,
Dhe mandej secili n’shteg të vet për t’mbarë.
Jo, ti s’je e kotë! Je një zog i gjallë,
Që herë shfaqesh n’yll, herë vjen si hare.
Kur të kam në gji, m’dukesh si ëndrralë,
Kur them se je n’qiell, aherë zbret mbi dhe.
Me ty tërë kjo jetë përherë paska t’ngjarë.
Gjithkush të ka ndi, por askush s’t’ka parë
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: