Filozofi grek Platoni e përshkroi për herë të parë mbretërinë e humbur të Atlantidës në vitin 360 Para Erës Sonë. Ai shkroi mbi një ishull malor të krijuar nga Poseidoni, i mbushur me elefantë dhe ar. Por rreth 9.000 vjet më parë, pretendoi ai, tërmetet dhe përmbytjet e zhytën qytetin në det.
Ai ndoshta mund t`a ketë shpikur të gjithë çështjen. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar atlantologët që të mbledhin “prova” të ekzistencës së këtij qyteti. Dhe frymëzimet janë të shumta:qytetet bregdetare që janë shkatërruar dhe ishujt që zhyten, qoftë nga ngritja e nivelit të oqeaneve apo nga fundosja e vijës bregdetare. Këto toka të humbura ofrojnë një mjedis për teoritë se ku mund të ketë ekzistuar dikur qyteti i famshëm.
- Bimini Road
Në mesin e viteve 1960, zhytësit hasën një rrugë të drejtë 600 metra të gjatë të shtruar me gurë të njëtrajtshëm dhe me përmasa të barabarta. Gjurmët e karbonit dhe mungesa e shenjave të mjeteve, sugjerojnë që përgjegjës për përmbytjen ka qenë erozioni natyror, por disa besojnë se aty gjendet një qytetërim i mbytur.
- Pllaja Souss-Massa
Një analizë e vitit 2008 e 51 përshkrimeve platoniane të Atlantidës, identifikoi disa koordinata të mundshme, përfshirë këto duna bregdetare, të cilat shfaqin disa shtretër intrigues të lumenjve tashmë të tharë. Fatkeqësisht, ka prova të pakta të ekzistencës së dikurshme të ndonjë perandorie.
- Bregu i Spartel
Platoni tha dikur se qyteti i humbur shtrihej përtej Shtyllave të Herkulit,2 shkëmbinj në Ngushticën e Gjibraltarit. Ishulli Spartel ndodhej dikur pikërisht atje. Detarët që kalonin mund ta kishin parë të zhdukej në fund të epokës së fundit akullnajore. Por edhe nëse kjo ka ndodhur, ata nuk na kanë lënë asnjë shënim.
- Doggerland
Ishujt britanikë dikur ishin të lidhur me Evropën nga një rrip toke. Por kur një mega-cunami e goditi zonën rreth vitit 6000 Para Erës Sonë, rajoni u zhduk, duke lënë kockat dhe mjetet e gjuetarëve-mbledhësve vendas të ngulitura në fundin e detit.
- Helike
Një cunami vërshoi mbi këtë qytet grek në kohën e Platonit, dhe shumë ekspertë supozoninse mbetjet e tij gjendeshin në Gjirin e Korintit. Por në vitet 1990, arkeologët e gjetën atë gjysmë milje më në brendësi, të varrosur nën disa dhjetëra metra sedimente nga një proces i quajtur lëngëzimi i tokës.
- Antarktida
Historiani Çarls Hepgud argumentoi se kontinenti jugor ishte dikur një tokë veriore me Atlantidën në bregun e tij. Pastaj, 12.000 vjet më parë, një ndryshim në koren e Tokës e zhvendosi këtë kontinent në jug. Antarktida e bëri atë udhëtim rreth 30 milion vjet më parë.
- Ishujt Marshall
Një ditë ne mund të kemi një “Atlantidë” tjetër. Rritja e nivelit të detit i kërcënon seriozisht ata që jetojnë në zonat bregdetare, përfshirë këtë rrjet ishujsh koralorë me një lartësi mesatare prej vetëm 2 metrash. Pa ndërhyrje, ata me gjasë do të jenë nën ujë nga mesi i këtij shekulli. / popsci – bota.al