Dritëro Agolli: Më pëlqeu një plak aq shumë…

dritëro agolli

Mua më pëlqeu një plak aq shumë,
Sa desha në çast të bëhesha plak!
Ballin e kish si balli i shkëmbit në lumë,
Mendonte e fliste nga pak.

Dinte e dinte plot historira,
Po s’fliste kurrë pa shkak,
Dhe ishte fisnik si librat e mira,
Ndaj desha në çast të bëhesha plak!

Dhe s’u përmbajta, i thashë papritur,
Se desha të bëhesha plak;
Ai m’u përgjegj me vetullat ngritur :
“Prit edhe pak !”