Poezi nga Robert Shvarc
Ti mos më pyet gjithmonë
nëse të dua shumë-
sikur kjo lidhja jonë
që qenkej erë a shkumë!
Ti mos më pyet asgjë,
por shihmë veç në sy –
aty do të gjesh Ti Një,
që të shëmbëllen veç TY.
ObserverKult
—————————-
Lexo edhe:
ROBERT SHVARC: JETOJ ME ËNDRRËN QË MË FALE TI…
Jetoj me ëndrrën që më fale ti,
Unë jetën gjithë ty ta dhashë-
dhe ti e di: gjer sot unë dashuri
nuk ndjeva kurrnjëherë o vashë!
Jetoj me gazin që më dhe o zemër,
pa asnjë ngurrim nga shpirti jot
dhe ti e di: që mua asnjë femër
nga sytë s’më joshi pikë lot…
Jetoj me dhëmbjen që s’më vjen nga ty
Se dhëmbja vetë në gji të bren
e s’kam të drejtë të të kërkoj ndër sy
përherë gazin që shkëlqen.
O mikja ime, unë të dashuroj
veç për mallkimin që na ndjek,
o mikja ime unë të adhuroj
Veç për at brengë që na djeg!
…E rroj me ëndrrën që më përvëlon
në çastet ëndje-helm të tretur.
Ditët e mia të errta m’i gjallnon
një gjurmë mbi buz’t e mia mbetur.
O gjurmë e puthjes sate, prush e zjarr!
O gjurmë e shpirtit tënd që e kuptoj,
oh mua, po të jem edhe në varr
do bëjë të thërras: “Të dashuroj!”
Rroj me kujtimin tënd o mikja ime,
ti më je pranë, më rrethon ngado.
edhe i vetëm, kredhur në mejtime
thërras çdo ças: veç ti mos m’u largo!
Maj, 1956
*Titulli i origjinalit: “Jetoj”
ObserverKult