Robert Shvarc: Jetoj me ëndrrën që më fale ti…

Ti mos më pyet gjithmonë nëse të dua shumë- sikur kjo lidhja jonë që qenkej erë a shkumë! Ti mos më pyet asgjë, por shihmë veç në sy – aty do të gjesh Ti Një, që të shëmbëllen veç TY.

Jetoj me ëndrrën që më fale ti,
Unë jetën gjithë ty ta dhashë-
dhe ti e di: gjer sot unë dashuri
nuk ndjeva kurrnjëherë o vashë!

Jetoj me gazin që më dhe o zemër,
pa asnjë ngurrim nga shpirti jot
dhe ti e di: që mua asnjë femër
nga sytë s’më joshi pikë lot…

Jetoj me dhëmbjen që s’më vjen nga ty
Se dhëmbja vetë në gji të bren
e s’kam të drejtë të të kërkoj ndër sy
përherë gazin që shkëlqen.

O mikja ime, unë të dashuroj
veç për mallkimin që na ndjek,
o mikja ime unë të adhuroj
Veç për at brengë që na djeg!

…E rroj me ëndrrën që më përvëlon
në çastet ëndje-helm të tretur.
Ditët e mia të errta m’i gjallnon
një gjurmë mbi buz’t e mia mbetur.

O gjurmë e puthjes sate, prush e zjarr!
O gjurmë e shpirtit tënd që e kuptoj,
oh mua, po të jem edhe në varr
do bëjë të thërras: “Të dashuroj!”

Rroj me kujtimin tënd o mikja ime,
ti më je pranë, më rrethon ngado.
edhe i vetëm, kredhur në mejtime
thërras çdo ças: veç ti mos m’u largo!

Maj, 1956

*Titulli i origjinalit: “Jetoj”

ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

ROBERT SHVARC: MOS MË LËNDO, SE TË KAM BESUAR SHUMË…