“E diela e Myrrepruresve”, ikona e pikturuar për kishën e Shën Mërisë në Voskopojë

Ikona “E Diela e Myrrepruresve” është pikturuar për kishën Katedrale të Fjetjes së Shën Mërisë në Voskopojë.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë thekson se ikona është pikturuar prej mjeshtrit të madh të ikonografisë Konstantin Jeromonaku rreth vitit 1730-1750 dhe është tempera mbi dru.

Tema e ikonës është shfaqja e Krishtit para Myrrepruresve pas ngjalljes. Ai ka veshur një tunikë blu me një togë të artë në shpatullën e djathtë, si dhe një himation rozë sipër saj. Dy gratë e shenjta paraqiten të ulura në gjunjë në të dy anët e këmbëve të Krishtit.

Në të majtë është Maria Magdalena e veshur me himation të kuq kurse në të djathtë paraqitet një grua tjetër me himation të gjelbër. Pemët dhe kiparisat janë pikturuar në mënyrë simetrike në të dyja kodrat ashtu si dhe lulet.

Ikona nuk përfaqëson vetëm një episod biblik, por ajo shfaq një festë të rëndësishme që ka një karakter liturgjik./ATSH