Filmi “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani, me skenar nga Linda Fejzaj, mbështetur mbi romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Fatos Kongoli fitoi çmimin “Filmi më i mirë” në “Paris Play International Film Festival”.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila e cilësoi një lajm të mirë të kinematografisë.
“Urime shtëpisë kinematografike “Eclipse SA Film”, gjithë stafit realizues dhe kastit të mrekullueshëm të aktorëve, me në krye artistët e mëdhenj Robert Ndrenika e Margarita Xhepa”, – tha Margariti.
Në këtë film luajnë aktorët Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Afrim Muçaj, Olta Gixhari, Olta Daku, Ledjon Zoi etj.
Kamera Latif Hasolli ndërsa kostumografi është realizuar nga Gerta Oparaku. Regjinë e filmi ”Bolero në vilën e pleqve” e ka bërë Spartak Pecani, i cili për realizimin e skenarit ka bashkëpunuar edhe me Linda Fejzaj.
Në qendër të filmit një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundjetën e tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëj që ajo të shkoj përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbiroj mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë.
Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Dhe nuk mbaron këtu./ATSH