Ka ditë kur koha duket se nuk ecën fare, nga ana tjetër ka ditë kur akrepi i orës rrotullohet kaq shpejt sa e kemi vështirë ta ndjekim. Që koha është relative tashmë është një koncept i qartë, veçse nuk ka qenë gjithmonë kështu. Nëse lexojmë një libër vendosur në shekullin XIX, do të shohim se si dimensioni i kohës përfaqësohet në një mënyrë objektive dhe lineare. Një përvojë kohore krejt e ndryshme na pret, nëse marrim në dorë një libër të Xhejms Xhojsit. Në vazhdën e revolucionit të shkaktuar nga Sigmund Frojdi (dhe zbulimi i pavetëdijes), në fakt, Uliksi i Xhojsit ishte i destinuar, nga dita e botimit më 2 shkurt 1922, të ndryshonte përgjithmonë fatin e letërsisë bashkëkohore.
Sepse ka ndryshuar perceptimi ynë për kohën
Shekulli XX lindi nën shenjën e nxitimit dhe përshpejtimit, efektet e së cilës u ndien edhe në art dhe letërsi. Autorët e mëdhenj të fillimshekullit XX, si Marsel Prusti, Virxhina Ulf dhe Xhejms Xhojs, kthejnë fragmentizmin dhe çoroditjen e së tashmes përmes mënyrave të reja të të shkruarit, të cilat kulmin shprehës e arrijnë me teknikën “përroi i ndërgjegjes”.
Koha ndryshon në varësi të asaj që po përjetojmë
Koha kronologjike dhe lineare e romanit të shekullit XIX zëvendësohet nga një kohë e ndërgjegjes. Personazhet e lindur nga pena e Xhojsit zbulojnë se përvojat e së kaluarës nuk janë vetëm të kaluara, por vendosen në pavetëdije. Pavetëdije nga e cila shfaqen vazhdimisht fragmente të së kaluarës dhe përzihen me të tashmen, në një mënyrë që jo gjithmonë është e vullnetshme. Në të vërtetë, koha e vetëdijes përbëhet nga çaste të padukshme që kalojnë nga njëra tek tjetra dhe formojnë një rrymë që vazhdimisht pasurohet: “përroi i ndërgjegjes”. Në personazhe, koha pëson transformime të rëndësishme: krahas një kohe objektive, kronologjikisht lineare, ekziston ideja e një kohe subjektive, e përjetuar nga vetëdija e personazheve.
“Uliksi” i Xhojsit është arketipi i njeriut bashkëkohor
Me një hijeshi të parezistueshme dhe simbol i etjes për dije, Uliksi është heroi me shumë fytyra. Nëse cilësitë e tij pozitive u lartësuan në poezitë homerike, cilësitë negative u theksuan në letërsinë e shekujve në vijim, të tilla si mashtrimi dhe cinizmi, deri në rishkrimin që bëri Xhejms Xhojsi në shekullin XX. Pra, Uliksi bëhet arketipi i bredhërimeve dhe anktheve të përditshme të njeriut bashkëkohor, simboli i një perceptimi të ri dhe revolucionar të kohës.
Për çfarë flet “Uliksi” i Xhoisit
“Uliksi” është historia e një dite, 16 qershor 1904, e një grupi dublinasish. Personazhet kryqëzojnë në dukje rastësore jetën e të tjerëve, përcaktojnë zhvillimin e saj dhe e përshkruajnë atë, përmes një monologu të brendshëm të vazhdueshëm. Protagonisti kryesor, irlandezi hebre Leopold Blumi, nuk është hero apo antihero, por thjesht një njeri mendjehapur e shumë i njerëzishëm, gjithmonë i vëmendshëm ndaj më të dobëtve dhe të ndryshmve, me mirësjellje edhe ndaj atyre që nuk janë të tillë. Protagonistët e tjerë janë intelektuali i ri, brilant, por i zhgënjyer Stephen Dedalus dhe Moli Blum, gruaja e hebreut, mbretëresha e vërtetë e romanit. Në fund, e shtrirë në shtratin e vjetër lëkundës, Moli reflekton – një monolog prej më shumë se njëzet mijë fjalësh pa pikësim, për ditën që sapo ka kaluar, mbi tradhtinë e bashkëshortit, në çdo kujtim të së kaluarës dhe në të ardhmen e mundshme imagjinare. Moli është një grua hijshëm instiktive, por edhe rezistuese ndaj çfarëdolloj forme të karakterizimit kategorik.
“Uliksi” është lindja e një epoke të re, vepra e fundit dukshëm e përkryer e shkrimtarit të madh irlandez, i cili gradualisht shndërrohet përmes një proces kristalizimi jashtëzakonisht të rrallë i burgosuri i hermetizmit të tij. Stili i të shkruarit të Xhojsit evoluoi me kalimin e kohës, pra secila prej veprave mund të thuhet se ka stilin e saj të veçantë. Në përgjithësi, të shkruarit shënohet nga një vëmendje e jashtëzakonshme ndaj gjuhës, përdorim inovativ i simbolikës dhe përdorimi i monologut të brendshëm për të portretizuar mendimet dhe ndjenjat e një personazhi. Krijimtaria e Xhojsit përcaktohet edhe nga kompleksiteti i saj. I kushtonte shumë kujdes të shkruarit, madje lexuesit dhe kritikët vërejnë kuptime shumështresore në prozën e tij. Xhojsi iu referua një larmie temash, nga letërsia klasike te psikologjia moderne, për rrjedhojë eksperimentet me gjuhën përfshinin përdorimin e prozës elegante formale, zhargonit dublinas dhe, veçanërisht te “Zgjohuni Fineganë”, përdorimin e termave të huaja, shpesh si lojë fjalësh që mbarin shumë kuptime. Xhejms Xhojsi, poeti dhe dramaturgu irlandez, vdiq më 13 janar 1941 në Cyrih./Konica.al