Luljeta Lleshanaku rrëfen filmin dokumentar “Muzeu Virtual i Kampeve të Maliqit” me regji të Elton Baxhakut bazuar mbi tre rrëfimet origjinale të të mbijetuarve të këtyre kampeve. Sipas skenaristes, për këto kampe sot nuk ka më asnjë dokument apo projekt inxhinierik.
Tashmë, Kampet e Maliqit”, (Vloçisht, Orman Pojan dhe Nishavec) janë jetësuar në një muzeu virtual në 3 D me regji të Elton Baxhakut dhe arkitekt-grafistit Klit Burda.
Skenaristja Luljeta Lleshanaku i cilëson Kampet e Maliqit, si më të tmerrshmit në historinë e komunizmit në Shqipëri.
Që pas shtatë dekadash publiku mund t’i shikojë vetëm në një film dokumentar, që synon të përcjellë tek brezat e rinj trashëgiminë materiale të periudhës së komunizmit.
LEXO EDHE: TELEGRAMET MAKABRE: “VARINI NË LITAR, NË MALIQ, ATY KU KRYEN SABOTIMIN!”
“Nuk bëhet fjalë për një kamp në Maliq, por gjatë kërkimeve pamë se bëhet fjalë për tre apo katër të tillë. I pari, është ndërtuar në vitin 1947 me disa çadra të vogla. Ndërsa kampet masive nisën të ndërtohen nga viti 1948 deri në 1951-in. Këto ishin kampe pune, ku punonin të burgosurit politikë. Dhe mbahen si më të tmerrshmet në historinë e komunizmit në Shqipëri. Prandaj ne synojmë përmes këtij projekti të sjellim trashëgiminë materiale të periudhës së komunizmit. Konkretisht vendeve të vuajtjeve, kampeve të punës dhe internimit, edhe burgjet përmes metodave digjitale”, rrëfen Lleshanaku.
Ndonëse kanë kaluar 3 dekada demokraci, Lleshanaku shpreh keqardhjen e saj, që për këto ngjarje që ka lënë gjurmë në historinë e vendit tonë, ende nuk ka një muze. Ndërsa skenari i filmit është bazuar vetëm mbi tre rrëfime origjinale të të mbijetuarve.
Nuk kemi akoma një vend vuajtje, që të jetë shndërruar në muzeum
“Në 30 vjet pas rënies së komunizmit nuk kemi akoma një vend vuajtje, që të jetë shndërruar në muzeum. Në këtë situatë, po i afrohemi kësaj teme përmes teknikës digjitale 3 D dhe filmimeve. Ndryshe nga Muzeu Virtual për Kampin e Tepelenës, për të cilin kishte disa gjurmë, ndërtesa në rrënoja etj. Për kampet e Maliqit ne nuk kishim asgjë. Vendi është transformuar plotësisht. Në kohën që funksionin vendi ishte kënetë dhe duke u tharë këneta hapeshin kampet e punës. Kjo është historia e tre kampeve. Nuk ka asnjë dokument apo projekt inxhinierik të kampit të zhvendosur. N tre kohë të ndryshme, në vende të ndryshme.
LEXO EDHE: RRËQETHËSE: VIDEO QË TREGON SKENËN MAKABRE TË PUSHKATIMIT TË INXHINIERËVE TË MALIQIT
Në projektin e dëshmive me videoregjistrime të ISKK kemi vetëm tre rrëfimet e Lavdosh Beqos, Cezar Maliles, Skënder Stefanllarit. Nga këta të tre, dy prej tyre nuk jetojnë më. Prandaj, jemi të lumtur që i kishim edhe këto” rrëfen Lleshanaku.
Pas Muzeut Virtual të Kampit të Tepelenës, ky është projekti i dytë mbi muzetë virtualë të kampeve dhe burgjeve në Shqipëri. I realizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet edhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) dhe me mbështetjen e Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri./shqiptarja.com