Flet fituesi i çmimit “Kadare”, Gani Mehmetaj: Romani paraqet raportet midis shqiptarëve e serbëve

Dorëshkrimi i autorit fitues të çmimit “Kadare”, Gani Mehmetaj sheh dritën e botimit nën titullin “Zogjtë e qyqes”. Autori rrëfen përmes këtej romani marrëdhënien midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve për dekada të tëra.

“Është një ndjenjë e veçantë për mua, ndryshe nga herët e tjera, se ky çmim mban emrin e një shkrimtari të madh siç është Ismail Kadare”, rrëfen Mehmetaj, para se t’i dorëzohej çmimi.

Redaktorja e librit Suela Bala, kryetari i jurisë Preç Zogaj dhe studiuesja Belina Budini, e cilësojnë këtë çmim më të rëndësishmin sa u përket letrave shqipe. Për përzgjedhjen e pavarur që është bëra nga juria, por edhe për vlerat artistike që përcjell tek lexuesi.

Romani “Zogjtë e qyqes” i vlerësuar për rrekjen letrare, që u bën kolonëve të huaja në Kosovë, si rrallëherë ka si narrator një serb. Që rrëfen dashurinë, raportin, marrëdhëniet e vështira midis tyre edhe shqiptarëve.

“Një kolon serb rrëfen jetën e tij në Kosovë që nga fëmijëria, raportet me shqiptarët, dashurinë edhe pengesat me një vajzë. Është një narrator objektiv, pa ngarkesa. Jam përpjekur që përmes tij të sjell ngjarjen në mënyrë objektive”, thotë Mehmetaj.

Ky roman mund të shërbejë për një subjekt filmi

Vet autori, i cili ka kontribuuar për 17 vite në kinematografi, si drejtues i “Kosovafilm” rrëfen dhe trajtimin që i është bërë luftës së Kosovës nga kineastët. Duke mos përjashtuar mundësinë që ky libër në të ardhmen të jetë bosht qendror në skenarin e një filmi.

“Në kinematografi kjo çështje është trajtuar në mënyrë fragmentare, sikundër edhe në letërsi. Por ky roman mund të shërbejë për një subjekt filmi”.

Kjo çështje nuk i përket vetëm së shkuarës

Përmes romanit trajtohet mënyra se si serbët kanë bashkëjetuar në një vend me shqiptarët, autori thotë se, kjo çështje nuk i përket vetëm së shkuarës.

Pasi përmes klasës intelektuale edhe politike serbe urrejtja kundër shqiptarëve ende vijon që të trumbentohet. Megjithatë, libri sipas tij duhet që të botohet edhe në serbisht.

“Edhe nëse njihet pavarësia e Kosovës ata sërish do të kenë qëndrim ndaj Kosovës. Se kanë ushqyer veten dhe pushtetin me urrejtje të tillë. Një shtresë e caktuar intelektuale edhe politike nuk mund të jetojë pa këtë”, thotë autori i “Zogjtë e Qyqes”.

Shkrimtari Gani Mehmetaj është autor i rreth 25 veprave letrare, eseistike dhe publicistike./shqiptarja.com

LEXO EDHE: ROMANI “ZOGJTË E QYQES” I SHKRIMTARIT, GANI MEHMETAJ FITON ÇMIMIN “KADARE”