“Britmat e shpirtit”, një roman që denoncon përdhunimet

“Britmat e shpirtit”, Kaltrina Maloku, roman, botuar nga SHB “Armagedon”

Nga Fitim Nuhiu

Zakonisht kur vizitoj bibliotekën e qytetit, i bindem intuitës sime për të kapur librat që më rastisin të më dalin para meje. I tillë ishte fati i librit të radhës, së Kaltrinës, që më mbërtheu dhe më intrigoi titulli, më bëri kurreshtar se çfarë britma mund të ketë një shpirt…?

Autorja edhe pse ka shkruar me një gjuhë shumë të thjeshtë për publikun, prapëseprapë ka krijuar një narracion që lexuesit i jep një përshtypje të ndërlikuar. Një përshtypje që e bën të mendojë se çfarë do të bëhet me fatin e protagonistes së romanit, që përdhunohet qysh në fëmijëri. Ç’ngjan me jetën dhe fatin e saj?
Lexuesi s’mund ta braktis librin lehtësisht pa mbajtur frymën gjer në faqet e fundit të tij.

Protagonistja e romanit, Tamara (dikur kishte emrin Zana) kishte një natyë të hekurtë të një femre që nuk dorëzohet. Ka dy anë brenda një shpirti, një të dhimbsur e të njerëzishëm, që herëpashere ngre krye dhe një të hekurt. Jeta e detyron të krijojë anën e fortë, pandjenja, hakmarrëse, që t’i bëjë ballë sfidave për të mbijetuar. E ka mësuar këtë qysh në fëmijërinë e saj.

Romani është përplot këshilla jetësore për të dy gjinitë, sidomos atë femërore. Flitet për kleçkat dashurore, inatet, krenarinë, dinjitetin e gruas karshi burrit, tundimet seksuale, etj.

Romani denoncon përdhunimet e ndryshme që i bëhen në vazhdimësi femrave (kudo nëpër botë) që njerëzit i heshtin. Sensibilizon edhe publikun si t’i dilet në ndihmë personave të prekur nga kjo dukuri destruktive me pasoja të rënda në një shoqëri. Në një shoqëri si e jona p.sh, të paemancipuar, paragjykuese dhe diskriminiuese. As për rehabilitim të viktimave seksuale nuk mendon kush.

Autorja krijon një gjuhë të saj autoriale-personale, kur thotë, psh: pjesa ime e vdekshme… E shpjegon tutje, që lexuesi kur e lexon më pas këtë shprehje, veçse e di kuptimin e saj.

Denoncohet mungesa e drejtësisë

Denoncon edhe mungesën e drejtësisë tonë shqiptare qëkorruptohet lehtësisht nga kriminelë dhe banditë. Koston e mbartë pala e dëmtuar dhe e pambrojtur, mjerisht.

Libri fokusohet tek ideja e hakmarrjes; tek ideja që kur dështon institucioni i drejtësisë me një vend, atëherë për të qetësuar britmat e shpirtit të përvuajtur, i duhet përvjelur mëngët personit të dëmtuar që ta marrë drejtësinë në duart e veta.

Autorja ka ndërtuar edhe narracion metafizik. P.sh. kur përmend rastin  që prej vuajtjeve të shumta që Tamara përjetoi, ajo krijon një iluzion, kinse po flet me nënën e saj të vdekur. Gjen ngushëllim tek biseda që zhvillonte dëshpërimisht me të duke ndërthurur mjeshtërisht me realitetin – sytë e të dashurit të saj, Akilit.

Romani në qendër ka edhe një personazh homoseksual, i skalitur me tiparet më të njerëzishme të një njeriu: mirësjellja, besnikëria, ndihma, shoqëria e mirëqenë, etj.
Por ndërfutja e disa rreshtave banalë duket se nuk korrespondon me rrëfimin përkatës.

Përmendet Zoti, besimi në të, mosbesimi, tundimi nëse ekziston ose jo në raste të caktuara. Shtrohet pyetja se ku ishte Zoti kur e përdhunuan dhe mbaron tek ideja e besimit duke thënë: edhe pse Zoti vonon, në fund të ndihmon me ndonjë engjëll mbrojtës, njerëz të mirë, etj.

Në fund romani mbaron me optimizëm, me një shpresë, që e përdhunuara gjen qetësinë shpirtërore duke u hakmarrur (me njerëzit e saj) kundrejt armiqve të saj. Hap një kapitull të ri të një jete të re, duke pritur një foshnje nga një dashuri e mirëqenë. Krijon një jetë të re, ama jo në trojet tona, por në Francë. Në një vend të emancipuar, aty ku nuk do paragjykohej dhe do jetojë e lirë siç edhe e meriton të jetojë çdo njeri i dinjitetshëm.

ObserverKult

Lexo edhe:

ALI JASHARI DHE BAHTIJAR KRYEZIU SJELLIN FJALORIN E HOMONIMEVE
TOM KUKA SJELL SKENOGRAFINË E TIRANËS SË ATËHERSHME