Artisti italian humb jetën në moshën 28-vjeçare, u bë i njohur nga Amici dhe X-Factor

Michele Merlo, i njohur me emrin e artist si Mike Bird, i cili u bë i famshëm nga Amici dhe X Factor në Itali, është ndarë nga jeta në një moshë shumë të re.

Artisti 28-vjeçar ishte i shtruar prej ditësh në repartin e kujdesit intensiv në spitalin Maggiore në Bolonja, por fatkeqësisht nuk arriti ta fitonte betejën e vështirë. Mike u godit ditën e premte nga një hemorragji cerebrale për shkak të leukemisë dhe iu nënshtrua një operacioni delikat.

Këngëtari ishte dërguar nga mjekët në shtëpi, para se të shtrohej me urgjencë në spital. Familjarët e tij kanë treguar se Mike po paraqiste për disa ditë simptoma që ishin interpretuar si një formë e parëndësishme virale, transmeton ‘lapsi.al’.

“Ai shkoi në dhomën e urgjencës në Vergato në autonomi të plotë. Po ankohej për simptomat që një mjek i aftë duhet t’i kishte vënë re. Kishte një migrenë të rëndë për ditë me radhë, dhimbje qafe dhe pllaka në fyt, një shenjë tipike e leukemisë. Nëse do ta kishin vizituar, do ta kishin parë që ai kishte hematoma. Ne nuk kemi një raport mjekësor. Ai luante sport, nuk pinte alkool, kurrë nuk përdorte drogë, i pëlqente jeta e mirë, të hante mirë, gjërat e mira”, është shprehur babai i të ndjerit.

Gjithashtu familjarët e tij hodhën poshtë disa hipoteza që qarkulluan në rrjet se të riut i kishte ardhur vdekja nga vaksina kundër Covid. Ata kanë treguar se Michele nuk ishte vaksinuar, por u godit nga një formë e rëndë e leukemisë dhe pësoi hemorragji cerebrale.

LEXO EDHE: Vdiq aktori dhe regjisori i njohur, Pirro Mani