Ditën e sotme në qytetin e Korçës do të nisë eventi më i madh veror në Shqipëri, Festa e Birrës.
Eventi do të nis prej orës 18:00 deri në orën 24:00 dhe do të vazhdojë për 5 netë me radhë, e do të organizohet tek Terminali i ri i autobusëve, në hyrje të qytetit të Korçës.
Festa do të ketë skenë edhe tek Pazari i Vjetër. Veç artistëve shqiptarë, pjesëmarrës do të jenë DJ dhe grupet më të njohura muzikore në Shqipëri dhe jo vetëm.
Të gjitha grupet dhe këngëtarët do të performojnë live në të pesë netët e festës, në të dy skenat të cilat presin si çdo vit vizitorë jo vetëm shqiptar por edhe nga vende të ndryshme të botës.
Policia ka marrë një sërë masash për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.
Ndërkaq, policia njofton se bllokimi i akseve rrugore do të fillojë që prej orës 16:30 deri në orën 03:30, nga kryqëzimi i fshatit Çiflig deri tek kryqëzimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Korçë; nga stadiumi “Skënderbeu” deri tek ASHK Korçë dhe nga kryqëzimi i ASHK Korçë, deri tek rrethrrotullimi i Voskopojës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Masat e marra nga Policia, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në kuadër të Festës së Birrës-Gusht 2021.
Më datë 18.08.2021 deri më 22.08.2021, në qytetin e Korçës, prej orës 18:00 deri në orën 00:00, në ambientet e brendshme të “Terminalit të Autobusave” në lagjen nr. 17, si edhe në ambientet e “Pazarit të Vjetër”, Korçë, do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka marrë një sërë masash në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin dhe manifestimin sa më normal të këtij aktiviteti.
Nga shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë dhe Policinë Bashkiake, do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve në të dy akset rrugore përkatësisht tek rrethrrotullimi përballë “Pazarit të Vjetër”; të dy akset rrugore pranë pallatit “City Center” drejt kryqëzimit të Maliqit dhe rrugës përballë “Ish-NPV”.
Bllokimi i akseve rrugore do të fillojë që prej orës 16:30 deri në orën 00:00, të çdo dite të organizimit të Festës së Birrës, nga kryqëzimi i fshatit Çiflig deri tek kryqëzimi i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Korçë; nga stadiumi “Skënderbeu” deri tek ASHK Korçë dhe nga kryqëzimi i ASHK Korçë, deri tek rrethrrotullimi i Voskopojës.
Qarkullimi i automjeteve brenda qytetit, do të kryhet përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti” dhe rrugës “Fan Noli”, ndërsa dalja nga qyteti do të bëhet nga stadiumi “Skënderbeu”, tek Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) Korçë, në drejtim të Tiranës, transmeton ‘ekonomiaonline’.com’.
Orientimi i lëvizjes së automjeteve drejt vendeve të përcaktuara për parkim nga Bashkia Korçë, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet bashkiake në zonën përreth stadiumit, nga DRSHTRR Korçë në drejtim të fshatit Dishnicë dhe nga kryqëzimi i Ersekës në drejtim të fshatit Dvoran.
Në të gjithë qytetin, në vendet që do të zhvillohet festa ku pritet të ketë grumbullim dhe qarkullim më të madh të njerëzve, në bulevardet kryesore dhe akset rrugore që lidhin Korçën me rrethet e tjera, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Policisë Rrugore, grupeve të FNSH-së, Forcave Speciale “Shqiponjat”, të cilët do të mbikqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve dhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme, të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.
Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve që të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore.
Shërbimet e Rendit, do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si nënstacionet elektrike apo ujësjellësi, për të forcuar masat e ruajtjes së tyre.
Të gjithë qytetarët të cilët ndeshen me problematika apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë tek nr 129 i Policisë së Shtetit, ose të dërgojnë ankesën e tyre tek Komisariati Dixhital, duke ju siguruar një reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
LEXO EDHE: Edhe një paralajmërim nga Tifozat Kuq e Zi: Nuk do të ndalemi…