Nora Prekazi: Unë e ti

nora prekazi

Këtij qyteti që na u falë
ia shtrënguam fort shtigjet
orët e liga që na i dhuroi pothuajse pafund
kararin e dashurisë sonë naive
ia përqafuam kundërmimet
e identiteteve të zhbëra
cepet kontradiktore
e rrymat e kundërta nëpër gdhendje të kohës
unë e ti

Unë dhe ti
u munduam t’ia pastrojmë faqet
t’ia mbledhim copëzat e shkapërderdhura nëpër skaje
nëpër qorrsokaqe
nëpër kujtesa
zvarrë nëpër pluhura
nën rrëmuja
e katrahura arkivash
objektesh të braktisura
e momentesh të harruara

Këtij qyteti që na u falë
u munduam t’ia humbim farën e shkurreve
kaçubave,
mbetjeve,
e therrave,
që vazhdimisht zënë rritë
të egër e të patrajtë, kohë pa kohë
për me liru rrjedhën e ujit
të gurgullimës së lumenjve që ujitën vazhdimisht
trohëza frymash në përpëlitje të rritës
të formësuar
me pika xehesh
pika algash
e pika gjurmësh
të atyre që besuan përtej…
si unë dhe ti

ObserverKult